POLITIKË /

Interpelanca për Thumanë-Kashar, Balluku në Kuvend: Nyje e re në hyrje, hapim provizorisht mbikalimin e Gramzës

"Sigurisht kur ndërtojmë autostrada të këtij niveli ka dhe një problematikë që u lind komuniteteve, pasi këto autostrada kërkojnë që të kene kushte sigurie të larta që të certifikohen në kategorinë A"

Shkruar nga Versus
Interpelanca për Thumanë-Kashar, Balluku në Kuvend: Nyje e re
Belinda Balluku në Kuvend

Protestat e vazhdueshme të banorëve që jetojnë përgjatë aksit të sapondërtuar Thumanë-Kashar, kanë qenë sot objekt i një interperlance urgjente me ministren e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, kërkuar nga deputetja demokrate Elda Hoti.

Kjo e fundit në fjalën e saj hyrëse ka kërkuar shpjegime nga ministrja se pse ky aks nuk ka të zbatuar 4 nyjet e parashikuara në projektin fillestar, duke lënë të izoluar mijëra banorë të zonës të cilët kërkojnë vazhdimisht akses në autostradë. Projekti i cili daton që në 2018-n, por më pas u pezullua pasi fondet u destinuan për ‘Paktin me Studentët’, sipas Hotit është devijuar disa herë për shkak të favorizimit të oligarkut ndërtues. Po sipas deputetes demokrate, dhe dhënia me koncesion duhet të tenderohej dhe se favorizimi i oligarkëve do t’u kushtojë qytetarëve shqiptarë rreth 1.3 miliardë dollarë për 35 vite. Autostrada Thumanë-Kashar është ndërtuar nga Gener 2.

Ndërkohë ministrja Balluku tha se ky segment rrugor që i përket Korridorit Blu është ndërtuar sipas parametrave të kategorisë A, shembull për tu marrë për të gjitha autostradat në vazhdim, duke deklaruar gjithashtu se projekti i këtij aksi ka pasur 2 nyje, ndërsa projektstudimi 3 të tilla.

Gjithsesi Balluku u shpreh se, do të ketë një nyje dedikuar në hyrje të Thumanës dhe se janë në prag të firmosjes së kontratës. Gjithashtu ajo theksoi se për banorët të cilët kërkojnë hyrje-dalje në autostradë për të komunikuar në zonë do të vihet në dispozicion mbikalimi i Gramzës:

“Dy nyjet e Kasharit janë të ndërtuara, hyrja e Rinasit dhe Kasharit. Ajo nyje që do zgjidhë përfundimisht problemin e Thumanës, është nyja që ndodhet si pjesë e projektit që do vazhdojë nga Thumana në Milot. Është vetëm 4 km larg nga mbikalimi në Gramëz. Ky i fundit për ti dhënë një zgjidhje provizore. Kemi rënë dakord me banorët e Thumanës që mund ta konsiderojmë që të hapim mbikalimin e Gramzës dhe ndoshta në të ardhmen ta kthejmë në nyje permanente”, tha Balluku.

Sipas Ballukut Shqipëria ka qenë e izoluar për shumë vite nga regjimi komunist duke mbetur jashtë Korridoreve europiane.

"Na është dashur një punë shumë e madhe me Komisionin Europian dhe Parlamentin Europian për të përfshirë në Korridorin Blu aty ku bën pjesë Thumanë-Kashar dhe Korridorin e Tetë si pjesë  integrale të korridoreve Paneuropiane. Është dashur një punë nga të gjithë deputetet socialist dhe nga të gjitha ministrat të cilët nuk kanë lënë rast pa kërkuar që Shqipëria të ishte pjesë e këtyre Korridore sepse nuk ka të bëjë thjesht me infrastrukturën por ka të bëjë me lëvizjen e lirë të mallrave, me zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendeve.

Kështu sot Korridori Blu i cili lidh Kroacinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë kalon tejpërtej Shqipërinë. Dhe ne tashmë kemi segmentin e parë prej shumë kilometrash që është ai Thumanë -Kashar që është një segment i ndërtuar sipas parametrave të kategorisë A dhe që do të jetë një shembull për tu marë për të gjitha autostradat në vazhdim. Ju e dinë që ne tashmë i kemi mbyllur garat për segmentet e tjera ashtu siç është segmenti që vijon nga Thumana në Milot ashtu siç do të jetë ai Milot -Balldrenit që mezi e presin shkodranët dhe lezhjanët dhe padyshim të gjithë segmented e jugut.

Segmenti totalisht i ri i cili fillon nga Kashari dhe përfundon në rreth rrotullimin e Rrogozhinës në Lekaj dhe nga Lekaj deri në bypassin e Fierit duke e përshkruar Shqipërinë nga veriu deri në jug në ultësirën perëndimore me një Korridor të kategorisë A. Sigurisht kur ndërtojmë autostrada të këtij niveli ka dhe një problematikë që u lind komuniteteve, pasi këto autostrada kërkojnë që të kene kushte sigurie të larta që të certifikohen në kategorinë A", tha ministrja Balluku. Versus.al

 

 

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: