POLITIKË /

'Kaq njerëz i mbledh unë por s’kam kohë’: Komentet që sot tingëllojnë si goditja më e fundit ndaj entuziazmit të demokratëve

Si po shembet çdo ditë e më shumë opozita shqiptare nga udhëheqja e lidershipëve.

Shkruar nga Versus
'Kaq njerëz i mbledh unë por s’kam kohë’:
Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Ishte viti 2017 kur Lulzim Basha, pavarësisht rezultatit katastrofik në zgjedhjet e 25 qershorit, u rizgjodh kryetar i PD-së.

Edhe pse një pjesë e madhe e drejtuesve kërkuan dorëheqjen e tij, Basha mori 91.3% të votave, duke mposhtur Eduard Selamin.

Çudia nuk mbaroi me kaq. Basha nisi një seri mitingjesh ku sheshet mbusheshin plot, demokratët zemëruar e plot shpresë ndiqnin liderin që pretendonte se do rrëzonte Ramën.

Por gjithçka mbyllej me një xhiro në Bulevard, një himn kombëtar të kënduar në seli dhe... kaq. Protestë pas proteste, njerëzit e kuptuan se po i sillnin rrotull në të njëjtën rrugë pa krye.

Pas largimit të Bashës, në krye u rikthye Sali Berisha, i cili ndezi “Foltoren” dhe solli mijëra të rinj e të reja që kërkonin ndryshim.

Por pak nga pak, e njëjta skenë u përsërit: mitingje pa vizion, fjalime plot patos por pa plan, xhiro të pafundme në bulevard dhe një lidership që jetonte më shumë me të shkuarën sesa me betejat e sotme. Shpresa fillimisht u ringjall, por u tret po aq shpejt.

Zhgënjimi mori dimension historik në zgjedhjet e 11 majit, ku PD jo vetëm që nuk iu afrua fitores, por u fundos edhe më thellë: 50 mandate, përballë 83 të PS-së. Humbje pas humbjeje, premtime pas premtimesh – një cikël i pafund.

Dhe mbërrijmë në protestën e së hënës, përballë Kryeministrisë. Berisha e quajti “parlamentin e qytetarëve të lirë”, por në shesh mezi numëroheshin 50 veta, me gjithë deputetët brenda. Në profilin e tij në Facebook plasën komentet ironike:

“Nuk dilet në shesh me 50 veta.”, “Ku i gjete gjithë këta protestues?!”, “Kur do e kuptosh se ti dhe Muli jeni e keqja e PD-së?”, “Largohuni sa nuk është vonë — ia keni marrë frymën edhe atyre që e duan me zemër PD-në.”

Edhe përballë kritikave të hapura nga demokratët që dikur e ndiqnin verbërisht, Berisha zgjedh t’i minimizojë, t’i relativizojë, t’i shpërfillë.

Një shembull i qartë ishte reagimi i tij ndaj një komentuesi në Facebook, i cili i vuri në dukje pjesëmarrjen e pakët në protestën e fundit. Berisha, në vend që të reflektonte mbi arsyet e mosbesimit të bazës, iu përgjigj me një ton justifikues:

 “Mos u ngut, Ilir, kjo ishte një foltore parlamentaro-qytetare e para e këtij lloji dhe nuk ishte miting”  /Versus.al

 

Poll