Në nisje të seancës së sotme plenare ku do të votohen kryetarët dhe anëtarët e komisioneve parlamentare, deputeti demokrat Belind Këlliçi i kërkoi kryeparlamentarit Niko Peleshit që të korrigjojë procesverbalin e seancës së kaluar ku qeveria u votua pa debat.
Duke e konsideruar “njollë turpi” seancën e kaluar, Këlliçi tha se procesverbali që PS kërkon të miratojë, nuk është i vërtetë dhe nuk tregon çfarë ndodhi.
“Nuk mund ta kaloni këtë seancë sikur gjithçka është normale. Ju thoni që do të hedhim procesverbalin për votim dhe sikur qytetarëve t’u tregojmë sikur jemi Kuvend demokratë. Ai procesverbal që doni të votoni, doni të harroni atë seancë që kaloi. Në shkelje të premtimit që dhatë në atë seancë, para se t’i jepnit fjalën zotit Bardhi, ia dhatë fjalën zotit Balla. Që të kalojë seanca e seancave më e rëndësishmja e 4 viteve, vetëm në 25 minuta dhe të dëgjohen vetëm socialistët, kjo është një njollë turpi për këtë Kuvend dhe për ju. Ai procesverbal nuk tregon të vërtetën, deputetët e opozitës, dhe ju vetë. Ju korrigjoni procesverbalin dhe rregulloheni.”, tha Këlliçi.
Të njëjtin qëndrim kishte edhe deputeti demokrat Flamur Noka i cili e quajti Peleshin “militant” të Ramës për mënyrën sesi zbatoi urdhrin e dhënë prej tij për të mbyllur seancën plenare të votimit të qeverisë pa debat me opozitën. Versus.al







