
Ditën e djeshme, komisionerja për zgjerimin Marta Kos hodhi idenë që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë në një periudhë prove para anëtarësimit të plotë në BE me frikën se mos fuste “kalin e Trojës”.
Rama tha se këtë ide e kishte hedhur ai shumë më herët në publik duke e konsideruar si diçka shumë positive. Ai shtoi se kjo gjë mund të bëhet edhe me anë të një marrëveshje ku Shqipëria të mos ketë të drejtë vetoje, por thjesht të jetë pjesë e diskutimeve.
“Do më falni shumë mua për këtë që do them, por do lutesha që përpara se ta merrni si mungesë modestie t’u referoheni arkivave tuaja. Këtë ide e kam hedhur vetë shumë vite më përpara dhe e kam përsëritur sa herë më është dhënë mundësia. I qëndroj kësaj ideje sepse nuk e kam shpikur unë, pasi është ide që i ka rrënjët thellë në historinë e mendimit europian. U jep mundësinë të dyja palëve të marrin atë që duhet pa krijuar probleme. Do të thotë, ne duam të jemi në tryezë si të barabartë dhe të kemi akses të plotë në të gjithë ngrehinën e BE. Ata duan të njëjtën gjë, por ata kanë një frikë që duke qenë 27, ka vështirësi në marrjen e vendimeve sepse është familje ku çdo gjë vendoset me konsensus. Tani thonë ata imagjinoni sikur të bëhemi 28, 29 e 30 sesa më e vështirë mund të bëhet. Pavarësisht se ne si ballkanas jemi më të qetë se ata vetë që janë ballkanizuar me kohë. Kjo është një gjë shumë positive, ne kemi bërë edhe propozime konkrete, jemi gati të marrim pjesë në çdo lloj diskutimi. Nuk ka nevojë të bëhet me ndryshime traktatesh, por me një marrëveshje”- tha Rama. Versus.al

