
SPAK po bëhet gati të mbyllë hetimet për dosjen “Partizani”, ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe është njoftuar që të paraqitet pranë Prokurorisë së Posaçme, të mërkurën ( 11 shtator) në orën 12:00 për t’i komunikuar akuzën.
Gjithashtu hetimet janë mbyllur edhe për dhëndrin e tij Jamabër Malltezit, i cili do të paraqitet brenda të njejtës datë për t'u njohur me akuzën por dy orë më pas.
Ish-kryeministri ndodhet në arrest shtëpie që prej datës 30 dhjetor 2023, masë e caktuar nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së SPAK.
Berisha akuzohet nga SPAK për Korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim, ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe ky në arrest shtëpie akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim dhe Pastrim i Produkteve në bashkëpunim me Fatmir Bektashin.
Ndërsa ky i fundit i cili vazhdon të jetë me detyrim paraqitje akuzohet për Korrupsion aktiv dhe pastrim produktesh.
Pas këtij lajmi, Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, u ka drejtuar një mesazh anëtarëve të Kryesisë dhe drejtuesve të strukturave të PD-së, që i kërkon mobilizimin për një protestë të fuqishme.
Protesta pritet të organizohet para godinës së SPAK.
“Të dashur miq. Ditën e Mërkurë në ora 12:00 kryetari i PD Prof Dr Sali Berisha do shkojë pranë organizatës kriminale të SKAP.
Të mobilizohemi të gjithe maksimalisht për protestë të fuqishme solidariteti me të drejtën, me të vërtetën, kundër narkodrejtësisë”, thuhet në mesazhin e Flamur Nokës drejtuar anëtarëve të Kryesisë dhe drejtuesve të strukturave të PD-së.








