
Sot në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet lokale, ku qytetarët votojnë për të zgjedhur kryetarët dhe asamblistët e 38 komunave të vendit.
Ky është procesi i dytë zgjedhor në vend pas atij të përgjithshëm të mbajtur në muajin shkurt.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në listën e votuesve janë regjistruar gjithsej 2,025,105 qytetarë, ndërsa 43,993 persona kanë aplikuar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës.
Të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00.
KQZ njoftoi se materialet zgjedhore janë shpërndarë që një ditë më parë në Qendrat Komunale të Numërimit, ndërsa për mbarëvajtjen e procesit janë angazhuar institucionet përgjegjëse si Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komisioni i Pavarur i Mediave.
Në këto zgjedhje marrin pjesë 93 subjekte politike të certifikuara: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur. Në total, janë 5,624 kandidatë, prej të cilëve 205 garojnë për kryetarë komunash dhe 5,419 për Kuvendet Komunale.
Procesi i votimit po zhvillohet në 948 qendra votimi me gjithsej 2,625 vendvotime prej tyre 910 qendra me 2,571 vendvotime për votim të rregullt dhe 38 qendra me 54 vendvotime për votimin me kusht.
Këto zgjedhje do të përcaktojnë 38 kryetarë komunash dhe 942 anëtarë të Kuvendeve Komunale.
Ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e votës në Prishtinë, ku u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë masivisht në proces.
“Sot është një ditë shumë e rëndësishme. Votojmë për të vendosur për katër vitet e ardhshme në komunat tona — për çerdhet, shkollat, ujin, shëndetësinë, shërbimet dhe infrastrukturën në qytetet e fshatrat ku jetojmë,” tha Kurti.
Ai theksoi se çdo qytetar duhet ta shfrytëzojë të drejtën e tij për të ndikuar në përmirësimin e jetës komunitare dhe përsëriti këtë mesazh edhe në gjuhën serbe dhe angleze./Versus.al







