Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë njoftoi se deri në orën 15:00 kanë votuar mbi 21 për qind e qytetarëve me të drejtë vote në 18 komunat ku po zhvillohet balotazhi për zgjedhjet lokale.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha gjatë një konference për media se pjesëmarrja në votime është më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë kohore në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, të mbajtura më 12 tetor.
Radoniqi foli gjithashtu për çështjen e votimit me asistencë, duke theksuar se janë pranuar disa ankesa lidhur me këtë proces. Ai rikujtoi se votimi me asistencë është i garantuar me ligj vetëm për personat me aftësi të kufizuara, përkatësisht ata që “nuk mund ta mbushin dhe hedhin fletëvotimin në kuti”.
“Kjo nuk nënkupton që në emër të kësaj të drejte të garantuar të abuzohet dhe në këtë kategori të hyjnë persona që nuk kanë aftësi të kufizuara”, deklaroi Radoniqi, duke shtuar se, sipas Rregullores zgjedhore të KQZ-së, aftësia e kufizuar duhet të dëshmohet me dokument përkatës.
I pyetur nga gazetarët nëse personat që nuk dinë shkrim-lexim kanë të drejtë asistence, ai sqaroi se ata mund të udhëzohen se si të votojnë, por nuk mund të marrin ndihmë brenda kabinës së votimit.
