Monika Kryemadhi ka bërë deklarata të forta gjatë pranisë së saj në studion e emisionit “Çim Peka Live” ku foli mes të tjerash edhe për kreun e SPAK, Altin Dumanin.
Sipas saj, zgjedhja e Dumanit ka ardhur si pasojë e premtimit të dhënë ndaj ndërkombëtarëve, veçanërisht partnerëve të BE, për luftimin e bandave të Durrësit për shkak se ky qytet ishte bërë qendër për rrjetet e trafikut të drogës.
“Dumani kishte marrë përsipër një gjë që i kishin kërkuar ndërkombëtarët, sidomos europianët. Çështja e portit të Durrësit dhe bandave të Durrësit. Pra trafiku i drogës dhe ndërprerja e komunikimit, sepse Shqipëria ishte bërë porti kryesor i furnizimit me kokainë dhe me heroinë që vinte për tu shpërndarë nëpër BE”- tha Kryemadhi.
Ajo nënvizoi më tej se raportet e vetë institucioneve shqiptare tregojnë se porti i Durrësit mbetet problem kryesor që lidhet me trafikun e drogës dhe funksionimin e strukturës kriminale brenda sistemit shtetëror.
“Dumani këtë gjë e garantoi, dhe për hir të vërtetës ne e dimë se nuk ka ndodhur gjë. Sot raportet e vetë institucioneve deklarojnë se porti i Durrësit është problemi kryesor që ka sot Shqipëria për trafikun e drogës dhe funksionit të kësaj strukture në sistem shtetëror, jo thjeshtë një bandë lokale”- përfundoi Kryemadhi. Versus.al







