POLITIKË /

“Listë e zezë për ndërtuesit problematikë”, Rama: Do ketë kamera 24 orë nëpër kantieret e ndërtimit

Teksa tha se për të investuar në Shqipëri ka patur interes të madh nga arkitektë të huaj, Rama tha se duhet të ketë një projekt të mirëfilltë ndërtimi dhe që blerja të mos mbetet e rastësishme apo të bëhet me klering.

Shkruar nga Versus

“Listë e zezë për ndërtuesit problematikë”,

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në qendrën për Inovacionin dhe Teknologjinë “NEST” ku u prezantua një start up i të rinjve shqiptarë për financimin e sektorit të ndërtimit.

Kreu i qeverisë ngulmoi që të ketë një tjetër angazhim përsa u takon projekteve zhvillimore me investues të ndryshëm. Ai tha se projekte të tilla nuk mund të mbeten në duart e blerjes me klering apo blerjes së rastësishme. Ndërsa paralajmëroi “listë të zezë” për ndërtuesit që nuk respektojnë rregullat.

“Nuk mundet dot këto projekte të realizohen siç duhet duke u mbështetur tek shitja në gropë, tek kleringu dhe blerësit që sjell rasti brenda për brenda vendit. Ato hapa që u prezantuan këtu, do duhet t’i parashohim edhe ligjërisht duke përfshirë garancitë për leje, listën e zezë të ndërtuesve që nuk respektojnë rregullat dhe pamundësinë për të marrë më leje dhe shumë gjëra të tjera që bota i ka dhe ka ardhur koha t’i bëjmë edhe ne”- deklaroi Rama.

Ai përsëriti gjithashtu se në kantierët e ndërtimit do të ketë kamera për monitorim gjatë gjithë ditës dhe natës të punimeve, gjë që sipas tij do të rrisë sigurinë dhe garantimin e projektit.

“Kjo që po bëjmë ne është një nga gjërat që mund të ndihmojë në lehtësimin e punës. Do ju sugjeroja që t’i hidhni një sy godinës këtu për të parë disa gjëra që mbase vlejnë. Ne do ta vendosim si kusht që kantierët e ndërtimit do kenë kamera dhe do monitorohen 24/24. Kjo gjë do t’ju vlejë juve në ndjekjen e punëve dhe praktikën tuaj, por është shumë e vlefshme që lidhen me sigurinë dhe garantimin e projektit”- shtoi kryeministri. Versus.al

Poll