Kryeministri Edi Rama ka reaguar për masakrën e ndodhur ditën e sotme brenda gjykatës së Apelit në Tiranë ku 30 vjeçari Elvis Shkambi hapi zjarr duke vrarë gjyqtarin Astrit Kalaja dhe duke plagosur babë e bir Rakip Kurtaj, 65 vjeç dhe Ervis Kurtaj, të cilët ishin pala tjetër në procesin gjyqësor.
Duke u shprehur ngushëllimet familjarëve të gjyqtarit, Rama shkruan se ndaj agresorit duhet të jepet përgjigjia më ekstreme ligjore, ndërsa tha se duhet një reflektim për sigurinë e brendshëm të gjykatave, sepse nuk duhet të mbetet në duart e policive private.
Mes të tjerash; Rama kërkoi ashpërsimin e dënimit për armëmbajtje pa leje në kodin e ri penal.
‘’Ngushëllime vëllazërore familjes së gjykatësit të ndjerë Astrit Kalaja dhe u prehtë në paqe Agresioni kriminal mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit. Por kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila përveçse sipas ligjit kërkon disa pajisje teknologjike, nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje mes policish private në emër të pavarësisë së gjyqësorit! Ndërkohë, kjo ngjarje tragjike besoj se është argumenti më i pakundërshtueshëm, për të mbështetur ashpërsimin domethënës në Kodin Penal të dënimit për armëmbajtjen pa leje dhe ngushtuar maksimalisht hapësirën për lojra me afatet në dëm të mbrojtjes prej zjarrit të armëve të paligjshme! Lutem gjithashtu që ky moment kaq tronditës të nxisë edhe një reflektim për lehtësinë me të cilën trajtohet rëndom armëmbajtja pa leje në proceset gjyqësore’’- shkroi Rama në rrjetin e tij social. Versus.al







