Endrit Braimllari është përjashtuar nga Partia e Lirisë më datë 1 tetor. Vendimi është marrë nga Komiteti Drejtues Kombëtar i partisë pas ‘përplasjeve’ që prej periudhës kur Braimllari mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së pozicion nga ku dha dorëheqjen pasi Meta u rikthye në krye.
Me këtë vendim të marrë, Braimllari i ka kërkuar kryetares së Këshillit Bashkiak, Romina Kukës largimin nga posti i kreut të këshilltarëve të PL-së dhe daljen si këshilltar i pavarur.
“Të nderuar,Në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, e mbajtur më datë 1 Tetor 2024, është marrë vendimi mbi përjashtimin tim nga kjo strukturë politike. Në kushtet e përjashtimit nga Partia e Lirisë, kërkoj të zbatoni vendimin mbi largimin si kryetar i grupit të këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak Tiranë.
Njëkohësisht, pozicionimin tim si këshilltar i pavarur në Këshillin Bashkiak Tiranë. Nga ky moment do të jem këshilltar i pavarur, në mbrojtje të interesit qytetar për të krijuar shanse dhe mundësi për qytetarët e Tiranës.
Ju uroj punë të mbarë"- thuhet në kërkesën e dorëzuar nga Braimllari.
Kujtojmë se Braimllari konsiderohej si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Monika Kryemadhit. Përplasjet e tij më Metën erdhën pas akuzave të forta që ky i fundit bëri duke thënë se ishte bojkotuar puna në PL.
Më 16 prill të këtij viti, Endri Braimllari dha dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të PL-së dhe tashmë është totalisht i përjashtuar nga partia. Versus.al








