
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi edhe pse në proces divorci me kreun e PL, Ilir Meta, i ka uruar ditëlindjen e 56-të.
Ky përvjetor i ditës së lindjes e gjen Metën në burg prej ku mbahet në paraburgim prej 21 tetorit të vitit të kaluar nën dyshimin se ka kryer 3 vepra penale. Kryemadhi i uroi Metës që dhuratën më të bukur ta marrë më 11 maj, ku kandidon si deputet në listat e hapura të Tiranës.
Ndërsa shkruan se çdo mik i ish-presidentit, ka detyrimin që ta votojë më 11 maj për shkak të gjithë sakrificave që thotë se Meta ka kryer për të tjerët duke i vendosur para vetes.
“I uroj ditëlindjen Ilir Metës sot në 56 vjetorin e tij. Sot kjo ditëlindje është ndryshe nga çdo ditëlindje tjetër por ka një veçori komplet tjetër në këndvështrimin tim. Sot të gjithë kanë detyrimin që urimin ndaj teje ta bëjnë duke iu kujtuar çdo miku që në 11 maj votat e tyre të jenë për ty Ilir Metaj në rradhë të parë sepse si gjithmonë e vendos veten sakrificë për të tjerët dhe vendos parimet e tua morale politike para interesit tënd personal .Dhuratat mund të jenë të ndryshme për ditën e ditëlindjes por unë sot të uroj që dhuratën më të bukur këtë vit ta marrësh me 11 maj ku më shumë se kurrë çdo mik apo ish mik i yti , dashamirës besoj kanë mundësinë që të bëjnë veprimin më të thjeshtë duke të votuar ty, por që në fakt është mundësi ndryshimi për ta dhe për gjithë Shqipërinë. Gëzuar ditëlindjen Ilir Metaj!”- shkruan Kryemadhi.
Pak ditë më parë Gjykata e Lartë i rrëzoi Kryemadhit kërkesën për heqjen e sekuestros së vilës tek Kodra e Diellit. Versus.al








