Gjatë sezonit veror pati ankesa të shumta nga qytetarët në rrjetet sociale përsa i përket mungesës së furnizimit me ujë të pijshëm. Në Vlorë dhe Durrës, pati raportime për furnizim me ujë vetëm 1-2 orë në dy ose tre ditë.
Përsa i përket këtij shqetësimi, kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të Operatorit Kombëtar të Ujit, theksoi se kishte patur një përmirësim të situatës që prej kur PS mori pushtetin. Por nënvizoi gjithashtu mungesën e përgjegjshmërisë në nivelin vendor.
“Ndërkohë që paralelisht ne nga ana jonë, kemi bërë investime masive. Nga 4 zona që furnizoheshim me ujë 24 orë në 2013 dhe me humbje në rrjet që shkonin afro 70%, kemi një panoramë tërësisht ndryshe, por është ndryshe në raport me atë që ishte, jo në raport me sfidën që kemi, aq më tepër në kushtet kur duam të shkëlqejmë në turizëm dhe kur volumi i kërkesës për ujë, posaçërisht në sezonin e pikut turistik rritet në mënyrë marramendëse, ndërkohë që kapaciteti për furnizim është tërësisht i pamjaftueshëm dhe niveli i papërgjegjshmërisë në pushtetin vendor është i frikshëm”, tha Rama. Versus.al







