
Brenda muajit qershor, Komisioni Evropian do të hapë zyrtarisht të gjithë kapitujt e negociatave me Shqipërinë, duke e çuar vendin në një fazë të re dhe vendimtare të rrugës drejt anëtarësimit në BE.
Lajmi u konfirmua nga Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë një konference në Bruksel, ku u theksua se Shqipëria ka përmbushur kushtet teknike dhe politike për hapjen e plotë të kapitujve.
“Na duhet të hapim një grup tjetër kapitujsh me Shqipërinë dhe kjo do të ndodhë në qershor. Me këtë hap, do të kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave. Pastaj fillon etapa tjetër: mbyllja e tyre – një proces po aq i rëndësishëm,” deklaroi Kos.
Ajo vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit, duke e veçuar qartë nga vendet e tjera të rajonit dhe duke nënvizuar përkushtimin institucional dhe angazhimin qytetar në reformat kyçe.
“Zgjerimi duhet të bazohet te merita. Shqipëria po bën një punë të jashtëzakonshme. Kam një marrëveshje me Edi Ramën: ky proces duhet të përfundojë si një martesë mes Shqipërisë dhe Evropës,” tha ajo me tone simbolike, por të qarta.
Me hapjen e plotë të kapitujve, Shqipëria futet në fazën përfundimtare të negociatave – atë të mbylljes së kapitujve, një proces që kërkon thellim të mëtejshëm të reformave, por që sipas Komisionit, është tashmë në rrugën e duhur. Versus.al







