
Gjatë konferencës “Diplo 2024” ku të pranishëm janë ambasadorët dhe konsujt shqiptarë në shtete të ndryshme të botës, kryeministri Edi Rama në kuadër të ndryshimeve që do ndërmerren lajmëroi hapjen e ambasadës së Shqipërisë në Bosnje Hercegovinë.
Duke renditur disa nga arritjet dhe rritjen e numrit të turistëve në vend, Rama theksoi synimin për të anëtarësuar Shqipërinë në BE brenda vitit 2030.
“Kemi 10 mijë subjekte të reja që bëjnë biznes në Shqipëri duke krahasuar gjysmën e parë të këtij viti krahasuar me atë të vitit të shkuar. Kemi mbi 15 mijë të punësuar më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Kemi interesim të madh për Shqipërinë jo vetëm në aspektin e turizmit por edhe në sektorët strategjikë, nga energjia, te telekomunikacioni, ndërtimi e kështu me radhë. Të gjitha këto duhet të na thonë se stadi në të cilin gjendemi është plotësisht i favorshëm për të synuar hovin e madh përfundimtar dhe për ta vendosur flamurin kombëtar në oborrin e BE deri në 2030. Trupi diplomatic duhet të ngrihet në një nivel të ri. Sot është shumë më e lehtë të flasësh për Shqipërinë dhe të ftosh turistët të vijnë të vizitojnë vendin tonë. Përtej situatës së sotme, do çelim së shpejti dyert e ambasadës në Bosnje Hercegovinë. Jemi përpjekur të bëjmë zgjedhje sa më të përshtatshme të ambasadorëve në funksion të dinamizmit të mëtejshëm të marrëdhënieve me rajonin. Jemi të qartë në pozicionin tonë, duam të promovojmë paqen, bashkëpunimin dhe rajonin si i tërë. Ky është interesi ynë kombëtar, Shqipëria është shumë e vogël për të ofruar atë që mund të ofrojë nëse hapësira e saj ekonomike dhe tregtare është një hapësirë e integruar rajonalisht. Kjo është shumë e thjeshtë dhe nuk ka nevojë për shkencë për ta kuptuar. Na duhet të fuqizojmë dhe nxisim sa të mundemi çdo energji që e bën rajonin më bashkëpunues e paqësor”- u shpreh kryeministri.
Më tej ai dha si porosi për ambasadorët shqiptarë në Greqi, Itali dhe Turqi, ku nënvizoi domosdoshmërinë për rritjen e shkëmbimit të marrëdhënieve tregtare mes vendeve.
“Duhet të bëjmë më shumë me Italinë, Greqinë dhe Turqinë. E përgëzoj ambasadoren tonë në Athinë për shërbimin e jashtëzakonshëm konsullor që është më të ngarkuarit për shkak të pranisë së madhe të shqiptarëve në Greqi. Ambasadorja në Athinë është shembull se asgjë nuk mund të jetë jashtë mundësive tona nëse kemi angazhimin për t’u kujdesur si duhet për shqiptarët jashtë atdheut. Por në aspektin e volumit tregtar me Turqinë dhe Greqinë, e kemi mundësinë dhe duhet të bëjmë më shumë”- shtoi Rama. Versus.al







