
Vendimi i Eric Adams, kryebashkiakut në detyrë të Nju Jorkut për të vizituar Shqipërinë në kushtet kur i kanë mbetur shumë pak javë në këtë post, ka ngjallur kritika në SHBA.
Prestigjozja New York Times shkruan se Adams ka udhëtuar drejt Shqipërisë të dielën për të mbajtur bisedime mbi biznesin dhe turizmin. Gjithashtu Adams do të takohet me kryeministrin Edi Rama, të cilin artikulli i NYT e përmend për dosjen e ish-agjentit të FBI, Charles McGonigal ku spikat emri i Ramës.
“Udhëtimi në pikën e nxehtë të turizmit, i cili erdhi vetëm një javë pasi Z. Adams njoftoi se do të ndalonte fushatën për rizgjedhje mes shifrave të ulëta në sondazhe, ngriti habi midis ligjvënësve që prisnin që ai të kalonte ditët e tij të fundit në detyrë duke konsoliduar trashëgiminë e tij.
Vizita e tij, lajmi për të cilën u raportua të dielën nga ËNBC, do të zgjasë deri të enjten, sipas zëdhënëses së tij, Kayla Mamelak Altus. Z. Adams nuk e bëri të ditur udhëtimin ndërkombëtar në axhendën e tij publike deri të hënën, pasi u largua nga Nju Jorku”- shkruan media amerikane.

Mes të tjerash përmendet fakti se kostot e akomodimit të Adams në Shqipëri dhe të transportit të tij tokësor, do të mbulohen nga taksat e qytetarëve shqiptarë, ndërsa udhëtimi ajror dhe stafi i tij do të paguhen nga taksapaguesit amerikanë të Nju Jorkut.
“Qeveria shqiptare do të mbulojë koston e akomodimit dhe transportit tokësor të kryetarit të bashkisë, ndërsa taksapaguesit e qytetit të Nju Jorkut do të mbulojnë pjesën tjetër të udhëtimit, duke përfshirë udhëtimin ajror për kryetarin e bashkisë dhe shoqëruesen e tij të udhëtimit, Gladys Miranda, një ndihmëse e vjetër, dhe kostot që lidhen me detajet e sigurisë së kryetarit të bashkisë" theksoohet në artikull.
Në detajet e dhëna përmendet se dhoma e hotelit të kryebashkiakut të Nju Jorkut do të kushtojë 200 dollarë në ditë, ndërsa kostoja e transportit tokësor do të jetë 90 dollarë në ditë. Në artikullin e NYT thuhet se zyra e kryeministrit shqiptar nuk pranoi kërkesën për koment ndaj udhëtimit të Adams. Versus.al







