POLITIKË /

Nga ‘anonime’ në deputete të PS, Sara Mile kritika Ballës dhe Maznikut: Kanë qenë të përgjumur për Elbasanin

Shkruar nga Versus
Nga ‘anonime’ në deputete të PS, Sara Mile kritika
Arbjan Mazniku, Sara Mile, Taulant Balla

Nga një person i panjohur, Sara Mile arriti të bëhej deputete e Partisë Socialiste më 11 maj mes akuzave nga kreu i PD se për zgjedhjen e saj në Elbasan kishte ushtruar ndikim i shumëkërkuari Suel Çela. Ndërsa së fundmi ajo ka shfaqur kritika për përfaqësuesit politikë të qarkut të saj ndër vite në Kuvendin e Shqipërisë.

Në një intervistë të dhënë sot për “Radio Tirana”, deputetja ka deklaruar se investimet në Elbasan kanë munguar prej vitesh dhe madje i cilësoi si “të përgjumur” përfaqësuesit e qarkut në Kuvend. Pavarësisht se nuk i përmendi me emra, kjo deklaratë e Miles u konsiderua në rrjet si kritikë ndaj Taulant Ballës dhe Arbjan Maznikut.

“Investimet në qarqe duan një lobim pozitiv në qeveri. Por, konstatoj se, prej shumë vitesh, përfaqësuesit e Elbasanit në Parlament nuk kanë bërë sa duhet për të thithur investime të rëndësishme, që të rikthejnë shpresën tek të rinjtë. Ata kanë qenë të përgjumur. Ka një garë mes qarqeve, për të prezantuar projekte e për të siguruar sa më shumë fonde për zonat e tyre. Elbasani ka qenë i përgjumur në këtë drejtim”- tha Mile mes të tjerash.

Taulant Balla u rikthye në detyrën e kreut të grupit parlamentar të PS ndërsa Arbjan Mazniku do të drejtojë komisionin për Reformën Territoriale.

Kujtojmë se Sara Mile rezultoi kandidatja më e votuar në qarkun e Elbasanit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Pavarësisht se opozita e sulmonte se po mbështetej drejtëpërdrejtë nga Suel Çela, Mile tha se rezultati ishte si pasojë e energjisë së saj gjatë fushatës elektorale, paçka se emri i saj nuk njihej para zgjedhjeve të 11 majit. Versus.al

Poll