Kuvendi i Shqipërisë është përfshirë sërish nga tensionet dhe përplasjet pas disa muajsh qetësie. Arrestimi i Ervin Salianjit ka çuar, ashtu dhe siç u paralajmërua më herët, në kaos seancën parlamentare të ditës së sotme, ku deputetët e opozitës kanë pushtuar foltoren dhe kanë hedhur objekte të forta në drejtim të kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali si dhe ministrave. E menjëhershme ka qenë ndërhyrja e Gardës, duke detyruar deputetët e opozitës të dalin jashtë Kuvendit dhe të djegin karriget e tyre në shenjë proteste. ‘Edi Rama i ka vënë zjarrin demokracisë’, janë shprehur ata ndërsa kanë ‘premtuar’ se do i qëndrojnë përballë dhe se nuk do stepen, por do përshkallëzojnë qëndrimet e tyre, ndërsa kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e 7 tetorit.







