
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër pas përplasjes në Kuvend ku kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka ofenduar deputeten Albana Vokshi.
Tabaku e cilësoi sjelljen e Ballës si të papranueshme dhe njoftoi se PD do të depozitojë të premten kërkesën për përjashtimin e tij nga Kuvendi.
Në deklaratën për mediat, Tabaku theksoi se kjo ishte një shkelje e qartë e standardeve minimale të sjelljes në parlament dhe një vijë e kuqe që nuk mund të tolerohet. Ajo kërkoi masa të menjëhershme, përfshirë dënim publik dhe kërkesë ndjesë, duke vënë theksin te mbrojtja e integritetit të institucioneve dhe e grave në politikë.
Deputetja shtoi se opozita po përballet me kufizime të shumta në Kuvend, duke përfshirë mungesën e mundësisë për pyetje, komisione hetimore dhe të drejtën për të folur lirshëm, ndërsa ofendimi i Ballës kaloi çdo vijë të kuqe. “Grupi parlamentar i Partisë Demokratike nesër do të dërgojë kërkesën për përjashtimin e zotit Balla. Kjo është një vijë e kuqe që nuk duhet shkelur nga askush,” u shpreh Tabaku.
Deklarata e plotë
Sot kryetari i grupit socialist, zoti Taulant Balla, ka ofenduar zonjën Albana Vokshi në mënyrë të përsëritur, jo vetëm një herë, dhe ka detyruar grupin parlamentar të Partisë Demokratike të largohet nga salla. Zoti Niko Peleshi, i cili ka marrë përsipër të drejtojë Kuvendin, duhet ta drejtojë atë bazuar mbi rregulloren. Nuk ka përjashtime për opozitën, ndërkohë që mazhoranca ka të drejtën të flasë me arrogancë, të ofendojë dhe të cënojë dinjitetin. Pastaj çuditemi se pse kjo sallë e parlamentit nuk prodhon më politikë. Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisjes. Kjo është fytyra e qeverisjes me arrogancë, që shkel këdo me këmbë.
Kjo sjellje e papranueshme në sallën e Kuvendit sot duhej patjetër të kishte marrë përgjigjen e merituar nga kryetari i Kuvendit. Zoti Niko Peleshi, për herë të disatë, ka dështuar që të drejtojë seancën dhe t’i ofrojë siguri deputetëve të opozitës për të operuar aty, së pari, dhe së dyti, për të dënuar një sjellje që, në gjykimin tim, në kaq vite në parlament nuk ka ndodhur asnjëherë.
Opozita ndodhet në kushtet kur çdo hapësirë e parlamentit është ngushtuar. Ndodhet në kushtet kur nuk ka mundësi të flasë, nuk i jepet e drejta për pyetje, nuk i jepet e drejta për komisione hetimore, por ofendimi kaloi çdo vijë të kuqe. Për këtë arsye, unë së pari i bëj thirrje të gjithë zonjave socialiste ta dënojnë atë. Ta dënojnë sjelljen dhe ofendimin e një kolegeje në këtë parlament.
Së dyti, i bëj thirrje të gjithë organizatave të shoqërisë civile që ky është momenti për të folur. Ky është momenti për të dënuar ata që, nga kjo sallë e parlamentit, shfaqin sjellje të tilla të patolerueshme, të dënueshme, që askush nuk do të kishte dashur t’i dëgjonte as në shtëpitë e tyre, as për familjarët e tyre.
Në fund të ditës, secili prej nesh është edhe njeri. Është familjar. Zonja Vokshi ka dy vajza në shtëpi, të cilat e kanë ndjekur seancën. Si do të ndiheshim ne në qoftë se fëmijët tanë do ta dëgjonin? Si do të ndiheshim ne në qoftë se secili prej kolegëve do të përjetonte një dhunë të tillë, sepse kjo është dhunë verbale.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike nesër do të dërgojë kërkesën për përjashtimin e zotit Balla. Ne jemi të sigurt që zoti Peleshi përsëri nuk do të jetë mbi palët. Jemi të sigurt që nuk do të merret asnjë masë, por pavarësisht kësaj, ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj, ashtu siç do t’i shkojmë deri në fund të gjithë betejave që opozita ka në këtë parlament.
Ne mund të mos biem dakord për shumë gjëra në këtë parlament, por këtu duhet të biem dakord që kur cënohet dinjiteti i një zonje, kjo është një vijë e kuqe që nuk duhet shkelur nga askush./Versus.al


