Partia Demokratike nuk shpalli emrin e kandidatit për bashkinë e Tiranës as në mbledhjen e sotme të Kryesisë, por vendimi politik është i qartë: opozita do të mbështesë një kandidat të pavarur në zgjedhjet vendore të 9 nëntorit, si në kryeqytet ashtu edhe në 5 bashkitë e tjera ku do të zhvillohen zgjedhje.
Lajmi u konfirmua nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili theksoi se ky është modeli që do të ndjekë opozita për të garantuar një përballje reale me atë që e quan “narkoshteti i Edi Ramës”.
“PD vlerëson dhe çmon shumë kandidaturat e pavarura. Do të konsiderojmë me seriozitetin më të madh kandidatë të tillë, që janë të gatshëm të përballen me regjimin aktual dhe që konsiderohen të domosdoshëm për një rezultat fitues,” u shpreh Berisha gjatë mbledhjes me Kryesinë e PD-së.
Sipas tij, edhe forcat e tjera opozitare janë në një mendje për të mbështetur këtë model, duke krijuar një front të gjerë opozitar me figura jashtë strukturave partiake, por të angazhuara në misionin për ndryshim.
Berisha sqaroi gjithashtu se zgjedhjet e 9 nëntorit nuk do të bojkotohen, pavarësisht kundërshtimeve që opozita ka shprehur ndaj dekretit të Presidentit Bajram Begaj për datën e zhvillimit të tyre.
“Ata që janë të gatshëm të përballen me narkoshtetin, le të masin forcat në garë në interesin më të mirë të qytetarëve, dhe PD do të jetë aty për t’i mbështetur,” përfundoi Berisha.







