POLITIKË /

"Për firmat e tij, unë rri në burg", Meta shpërthen ndaj Braimllarit: Gënjeshtar ordiner! U konvertua në rilindas

Meta thotë se firmën për lobimet e LSI e ka hedhur vetë Braimllari.

Shkruar nga Versus
"Për firmat e tij, unë rri në burg", Meta
Endrit Braimllari, Ilir Meta

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar sërish nga qelia një ditë pasi SPAK tha se kishte zbuluar një tjetër rast korruptiv të tij dhe Monika Kryemadhit.

Nëpërmjet një videoje në rrjetet sociale, Meta hedh akuza të drejtëpërdrejta ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të LSI, Endrit Braimllari duke e quajtur këtë të fundit “gënjeshtar” dhe të “konvertuar në rilindas”.

Ai shprehet se firma e lobimeve të LSI-së për periudhën 2018-2019 është e Braimllarit dhe se ky i fundit gradohet nënkryetar i këshillit bashkiak të Tiranës ndërkohë që Meta mbahet në paraburgim prej muajsh.

“Endrit Braimllari është shembulli më i gjallë i mënyrës se si SPAK-u arrin t’i konvertojë njerëzit pa karakter në “rilindas” të denjë – gënjeshtarë.

Vetëm një “rilindas” mund të harrojë firmat që ka hedhur vetë dhe arsyet për të cilat i ka hedhur. Një gënjeshtar ordiner, që përpiqet të fshihet pas harresës, por e vërteta nuk fshihet as me lojëra fjalësh, as me konvertim teserash partie.

Firma për lobimet e LSI-së në periudhën 2018–2019 është e Endrit Braimllarit. Në atë kohë, unë nuk isha kryetar i LSI-së, por President i Republikës.  Për firmat e tij unë qëndroj në izolim ekstrem, ndërsa Endriti “gradohet” nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Apo mos ndoshta është Altin Dumani që gënjen në shkresën zyrtare të firmosur prej tij?”- shprehet Meta në postimin që është shpërndarë në faqen e tij të rrjeteve sociale. Versus.al

Poll