Shkresa e prokurorisë së përgjithshme drejtuar KLGJ ku përpilohej përfundimi se gjyqtarja e posaçme Irena Gjoka ishte e dënuar në shtetin fqinj, është bërë pjesë e debatit në komisionin e Ligjeve.
Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi kërkoi të diskutonte në komision shkresën e prokurorisë, por një gjë e tillë u ndalua nga kryetari Ulsi Manja i cili tha se rendi i ditës përmban diskutimet për dy projektligje. Blushi tha se mazhoranca ishte e frikësuar nga ky fakt pasi e kishte përdorur gjyqtaren për ndëshkimin e liderëve të opozitës, ndërsa Manja iu përgjigj duke thënë se nuk kishte asnjë shqetësim të tillë.
Pjesë nga debati:
Tedi Blushi: Është një ngjarje e cila nuk mund të kalojë në heshtje.
Ulsi Manja: Të lutem Zoti Blushi! Unë nuk dua të të orientoj çfarë flet. Në katin e dytë këtu është një sallë shtypi ku flasin deputetët. Ne këtu jemi komision pune, mbajmë qëndrim politike, por për projektligjin. Nëse ke për të shtuar për dy marrëveshjet që po diskutojmë, vazhdoni diskutimin.
Blushi: E zgjodha këtë komision se është përgjegjës për funksionimin e legjislacionit. E përsëris kjo ngjarje e faktuar tanimë me vendim prokurorie, tregon cilësinë e të ashtuquajturës reforma në drejtësi, sesi ju e keni kapur sistemin e drejtësisë dhe sistemin gjyqësor për të cilin keni përgatitur edhe një atentat një grusht shteti. Në kushtet kur është faktuar se një gjyqtare ka shërbyer si kamikaze politike për ju, për Ramën...
Manja: Zoti Blushi, të lutem tani mos më detyro të marrë masa sipas rregullores sepse... nuk është problemi aty, unë jam kryetari i komisionit dhe e miratoj te sekretariati për procedurat.
Blushi: E kuptoj se jeni të tronditur nga fakti se...
Manja: Jo për Zotin asnjë tronditje s’kemi, jemi top. Versus.al



