Pas deklaratave alarmante të presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili paralajmëroi se “të gjithë po përgatiten për luftë”, Presidenca e Kosovës ka reaguar me një mesazh të prerë dhe të ashpër.
Në reagimin e saj në rrjetin social “X”, Presidenca e Kosovës e cilëson si të pamatura dhe të rrezikshme thirrjet për luftë të Vuçiçit, duke i cilësuar ato si një jehonë e kapitujve më të errët të historisë së rajonit.
“Pavarësisht dekadave të angazhimit të palodhur të partnerëve ndërkombëtarë, Vuçiç po refuzon rrugën e pajtimit dhe po i rikthehet fantazive shkatërruese që në të kaluarën lanë mijëra jetë të pafajshme në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë,” thuhet në reagim.
Institucioni më i lartë shtetëror i Kosovës e krahason presidentin serb me Sllobodan Millosheviçin, duke paralajmëruar se formula e tij e “nxitjes së konfliktit dhe bixhozit me jetë njerëzish” do të dështojë njësoj si në vitet ’90.
“Lufta nuk është mjet lidershipi. Vuçiç mund të luajë me zjarrin, por Kosova ka zgjedhur paqen, dhe do ta mbrojë atë me çdo kusht,” përfundon reagimi i presidencës.







