Në Petrelë të Tiranës pritet të ndërtohet “Parku i Besimit”, një hapësirë e konsideruar unike brenda së cilës do të bashkëjetojnë të gjitha besimet fetare.
Sot 12 finalistë nga vende të ndryshme të botës prezantuan projektet e tyre për këtë park, ndërsa i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama. Ky i fundit tha se Parku i Besimit, nuk është simbol i fesë, por faltore adhurimi ndaj jetës dhe natyrës.
“Prej shumë kohësh flas e pres me padurim që kjo nismë të gjejë hapësirë e të nisë të gjallojë. Jemi mbledhur në këtë vend që dikur formësohej nga gjuha e ashpër e urdhrave dhe divizioneve të kazermave ushtarake, një vend ku unifomiteti marshonte shumë më fort se uniteti. Së shpejti do kemi mundësi ta çelim këtë hapësirë, për një qëllim krejt të ndryshëm, për akt për njerëz krijues, të talentuar e për këdo që na viziton e kërkon ta ndajë këtë hapësirë. Por, më shumë se kaq, po rrekemi sot nisim diçka më të butë, po nisim të mendojmë në terma konkrete, përballë dhjetëra projekteve për të ardhmen e një zonë të tërë që do bëhet parku i besimit. Ky është shumë më tepër se ndryshimi i një hapësirë, është një transformim kuptimplotë dhe s’ka të bëjë me fshirjen e së shkuarës, por duam të mbjellim pemë, shpresë e vazhdimësi. Parku i Besimit nuk është simbol i fesë, është një faltore adhurimi që nuk bën pyetje se në çfarë besoni, ju fton të vini të mrekulloheni tek qëndresa e heshtur e pemëve të fikut, të vini re formën e pemëve e të ullirit dhe të kuptoni atë çfarë kuptuan paraardhësit tanë, që zhvillimi nuk ishte thjesht në sfond, ishte në fakt shkrim i shenjtë”, tha Rama.
Sipas tij, fokusi do të jetë tek mbjellja e pemëve.
“Dua t’iu them diçka nga ato ku thotë zoti mbolli Kopshtin e Eden dhe pastaj vendosi njeriun. Këto pemë, fik, shegë, hurma nuk u zgjodhën për bukuri, ishin bashkudhëtarë profecie, që u rritën në dëshirën dhe përgjërimin e kohës, u kthyen në strehë për eksil, mëshirë e me radhë. Nuk është muze besimi, është skripturë e gjallë që nuk shkruhet me bojë, por me rrënje, jo me doktrina, por me hije, pemë e tokë, një hapësirë që heshtja nuk është mungesa e zërit, por prania e vëmendjes”, tha Rama.
Ndërsa ndaloi tek trashëgimia fetare dhe kulturore shqiptare, Rama tha se shqiptarët nuk kanë nevojë të shpikin tolerancën, pasi prej kohësh jemi rritur me të në kisha e xhamia. Versus.al







