
Protestat e Partisë Demokratike duket se do të shtyhen për një afat më të largët pasi kryedemokrati Sali Berisha bëri me dije se “revolta” e tyre do të vijojë në qershor.
Shkak për këtë vendim është bërë “gara” për kreun e Partisë Demokratike në zgjedhjet që mbahen më 23 maj me kandidat të vetëm Sali Berishën. Ky i fundit gjatë një deklarate për mediat tha se agjenda e PD parashikon zgjedhje për kryetar dhe Kuvend Kombëtar deri më 30 qershor.
Pa specifikuar datë konkrete, Berisha tha se protesta kombëtare e radhës do të mbahet në qershor.
“Në mënyrën më të fuqishme do të vazhdohet me protesta, por siç e dini nga sot deri më 30 maj janë dy ngjarje të mëdha, referendumi për votëbesimin e kryetarit dhe Kuvendi Kombëtar. Këto janë procese që kërkojnë punë, përgatitje teknike. Ditët më të para të qershorit do të jetë kryengritja paqësore më e fuqishme që ka njohur Shqipëria!- deklaroi Berisha duke vijuar të premtojë për protesta që do të “shkundin” qeverinë.
Protesta e fundit e mbajtur ishte më 8 maj ku nuk pati as fjalime dhe as marshime, pasi policia ndërhyri duke mos lejuar protestueit që të shpërndaheshin nga bulevardi Dëshmorët e Kombit ku kishin lejen e protestës. Versus.al

