Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi ka bërë të ditur miratimin e dy vendimeve të Këshillit të Ministrave që autorizojnë shoqërinë KAYO për të lidhur marrëveshje me dy kompani ndërkombëtare për prodhimin e mjeteve lundruese dhe mjeteve fluturuese pa pilot (dronëve luftarakë).
Sipas ministrit, këto dy VKM janë të rëndësishme dhe shënojnë një hap të ri për industrinë ushtarake në vend, pasi për herë të parë në Shqipëria po krijohet një subjekt i dedikuar për prodhimin e mjeteve lundruese.
Ai theksoi se ky zhvillim është pjesë e një procesi bashkëpunimi ndërkombëtar dhe se Shqipëria është shumë afër finalizimit të marrëveshjeve përkatëse, të cilat pritet të formalizohen në kuadër të një mbledhjeje të përbashkët mes dy qeverive në Romë.
Ministri Nufi: Janë miratuar dy VKM për autorizimin e shoqërisë KAYO për të lidhur marrëveshje me dy kompani, së pari për krijimin e mjeteve lundruese në Republikën e Shqipërisë dhe së dyti për mjetet fluturuese pa pilot, pra dronët luftarakë. Është për t’u veçuar fakti se këto dy vendime të Këshillit të Ministrave janë domethënëse; është hera e parë që në Shqipëri po krijohet një subjekt për prodhimin e mjeteve lundruese në Republikë dhe kjo është diçka që na bën të ndihemi krenarë, dhe jemi shumë afër finalizimit të marrëveshjeve me këtë autorizim që jep Këshilli i Ministrave me palën ndërkombëtare që do të vijë në Republikën e Shqipërisë. Versus.al

