
Partia Demokratike mbajti sot foltoren e përjavshme para kryeministrisë ku qytetarë të ndryshëm folën lidhur me situatën e vështirë që po përjetojnë. Pas tyre fjalën e fundit e pati kryedemokrati Sali Berisha i cili përsëriti akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama duke e cilësuar këtë të fundit si “të keqen më të madhe të vendit pas Enver Hoxhës”.
Më tej shtoi se pavarësisht 13 viteve në pushtet, PS nuk ka sukses në asnjë sektor dhe se nuk ka bërë rritjen e pensioneve siç pretendon pasi ka patur rritje të produkteve të shportës dhe të ilaçeve.
“Në qoftë se marrim për bazë rritjen e çmimit të ilaçeve, vetëm këto ditë, ilaçet janë rritur në stratosferë, atëherë pensioni jo që nuk është rritur, por në raport me çmimet ka pësuar rënie të madhe. Kështu janë rrogat, por jo rrogat e ministrave, jo rrogat e zyrtarëve të lartë. Ato janë rritur. Ato janë ndër më të lartat në rajon”- tha Berisha.
Më tej foli për protestën e 20 shkurtit duke u shprehur se PD arriti që të mbronte nderin e Shqipërisë.
“Ndaj dhe miq, çfarë mund t’u them sot, së pari ia dolëm me revoltën tonë, me kryengritjen tonë, ne mbrojtëm nderin e Shqipërisë, mbrojtëm nderin e shqiptarit, mbrojtëm dinjitetin e shqiptarëve, dinjitetin e Shqipërisë. Ne i thamë mbarë botës, vërtet kemi një kryeministër superhajdut, që përdor të gjithë pushtetin për të mbrojtur zëvendësen e tij hajdute, por këta nuk janë shqiptarët.
Shqiptarët janë ata që mbushën rrugët dhe sheshet. Shqiptarët janë ata që do i rrëzojnë. Nuk është aspak kureshtje, u garantoj unë ju, nuk është aspak rastësi fakti që kryengritja jonë paqësore transmetohet në mënyrë të rrufeshme në mbarë botën. Transmetohet në mënyrë të fuqishme”- deklaroi kryedemokrati. Versus.al

