POLITIKË /

Rama i përgjigjet opozitës: Nuk ka bllokim vizash për Shqipërinë nga SHBA

Rama i përgjigjet opozitës: Nuk ka bllokim vizash për Shqipërinë nga SHBA, por pezullim i përkohshëm

Shkruar nga Versus

Rama i përgjigjet opozitës: Nuk ka bllokim vizash për

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave dhe akuzave të opozitës lidhur me marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara, duke sqaruar se SHBA nuk kanë ndaluar vizat për Shqipërinë, por bëhet fjalë për një pezullim të përkohshëm të lejeve të punës, i cili prek 75 shtete dhe nuk lidhet në mënyrë specifike me vendin tonë.

Gjatë podkastit “Flasim”, Rama theksoi se opozita po përhap dezinformim, ndërsa u bëri thirrje mbështetësve të Partisë Socialiste të jenë më aktivë në komunikim dhe në përballjen me atë që ai e cilësoi si “front i gjerë dezinformimi”.

Integrimi europian, sfidë e madhe por rrugë e pakthyeshme
Kreu i qeverisë u ndal gjerësisht te procesi i integrimit europian, duke pranuar se faza në të cilën ndodhet Shqipëria kërkon punë intensive dhe përkushtim maksimal, pasi përpara vendit ndodhet një volum legjislativ i paprecedentë.

“Procesi do të vijë duke u vështirësuar, sepse kemi përpara një sasi ligjesh që kurrë më parë nuk kanë kaluar filtrin vendimmarrës. Por jam besimplotë që Grupi Parlamentar do të jetë në lartësinë e kësaj sfide”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se rruga drejt Bashkimit Europian është e pandalshme, pavarësisht pengesave dhe zhurmave politike.

Mesazh për Partinë Socialiste: më shumë komunikim, më shumë përballje
Rama theksoi se për shumicën qeverisëse është jetike të rritet komunikimi me mbështetësit dhe qytetarët, duke përballur çdo ditë narrativat që sipas tij krijohen nga dezinformimi.

“Duhet të rrisim komunikimin dhe betejën me të gjitha tenxheret që gurgullojnë ditë e natë”, tha kryeministri, duke nënvizuar se PS nuk do të ndalet në rrugën e saj politike dhe qeverisëse.

Bashkëpunimi me Emiratet dhe Italinë, avantazh strategjik për Shqipërinë
Një tjetër moment i rëndësishëm i diskutimit ishte vizita e fundit në Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilën Rama e cilësoi si një sukses diplomatik dhe strategjik për vendin.

Kryeministri shprehu krenarinë për bashkëpunimin trepalësh mes Emirateve të Bashkuara, Shqipërisë dhe Italisë, duke theksuar se Shqipëria ka një rol kyç në këtë partneritet, që synon krijimin e kapaciteteve të reja të gjenerimit dhe i jep vendit avantazh strategjik në rajon.

Sipas Ramës, këto marrëveshje janë dëshmi se Shqipëria po forcon pozicionin e saj ndërkombëtar, ndërsa paralelisht ecën përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Poll