
Mbahet sot mbledhja e qeverisë në Dajt, duke shënuar kështu mbylljen e sezonit të pushimeve për socialistët, ndërkohë që Kuvendi nis sesionin e ri parlamentar ditën e nesërme.
Mbledhja që do të nisë në orën 10:00 dhe do të mbarojë në orën 18:00 do të jetë me dyer të mbyllura.
Në fokus të takimit pritet që të jetë analiza e punës së deritanishme dhe vendosja e objektivave për muajt në vazhdim, ndërkohë që do jenë pjesëmarrës ministra, drejtues të organeve të varësisë dhe kryebashkiakë.
Kjo do të jetë një mundësi për të reflektuar mbi arritjet dhe sfidat e kaluara, por edhe për të diskutuar strategjitë për vitin e ardhshëm zgjedhor. Në mbledhjen e qeverisë, pritet të bëhet analizë e Progresit dhe Strategjive.
Çështja më e nxehtë e momentit pritet të jetë ajo e mandatit të Olta Xhaçkës. Më 12 shtator do të mbahet një seancë plenare në Kuvend ku do të shqyrtohet për të disatën herë urdhri i Gjykatës Kushtetuese që i kërkon Kuvendit që t’ia dërgojë për shqyrtim vlefshmërinë e mandatit të Xhaçkës e cila akuzohet nga opozita se është në konflikt interesi për shkak se bashkëshorti i saj u shpall investitor strategjik nga Rama.
Sesioni i ri parlamentar e gjen vendin me ndryshime në qeveri të cilat u lajmëruan nga Rama në Kongresin që PS mbajti në fund të korrikut. Ministrat e rinj, u cilësuan nga opozita si “kukulla” të Ramës pa asnjë profil politik që do t’i shërbejnë kryeministrit për të vendosur mbi gjithçka. / Versus.al








