Kryeministri dhe njëherësh kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi një takim në qytetin e Vlorës, ku u ndal te ecuria e projekteve madhore strategjike në fushën e transportit, përfshirë Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës dhe zhvillimin e mëtejshëm të Portit të qytetit.
Në fokus të veçantë ishte marrëveshja e firmosur së fundmi me një nga kompanitë më të mëdha në industrinë ushtarake globale, për ngritjen e një akademie të aviacionit në Vlorë.
“Kjo marrëveshje është një hap domethënës në mbështetje të aviacionit civil, por edhe të forcave tona të armatosura ajrore, duke siguruar kapital njerëzor të kualifikuar dhe me standarde të larta,” deklaroi Rama.
Ai theksoi se synimi i qeverisë është rilindja e industrisë së mbrojtjes dhe prodhimit ushtarak, përmes bashkëpunimeve me aleatë strategjikë si SHBA, Izraeli, vendet e BE-së dhe Turqia.
“Po punojmë në disa drejtime për të rritur buxhetin e mbrojtjes, me theks te mbështetja për Forcat e Armatosura, jo vetëm në aspektin profesional, por edhe në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe strehimit për ushtarakët tanë,” u shpreh Kryeministri.
Më heret kryeministri Edi Rama ka njoftuar se aplikimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në Shoqatën Ndërkombëtare e Transportuesve Ajror, është vlerësuar nga kjo e fundit si aplikim me standardet ndërkombëtare.
Më tej sqarohet se IATA i ka vendosur kodin për aeroportet dhe shitjen e biletave: VLO.
“IATA (Shoqata Ndërkombëtare e Transportuesve Ajror) ka vlerësuar aplikimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe i ka vendosur kodin për aeroportet dhe shitjen e biletave: VLO”, sipas Ramës.








