“Në çdo qytet ku shkoj më thonë a do bëhet edhe qyteti ynë si Vlora”. Kështu u shpreh Rama gjatë takimit të tij elektoral me gratë e qytetit bregdetar ku pati edhe një thirrje të drejtëpërdrejtë për burrat.
Ai tha se pavarësisht problemeve që ka në çdo qark të vendit, Vlora duhet të thyejë rekord me vota dhe nëse një gjë e tillë nuk ndodh, tha se do jetë turp për ata burra që nuk do votojnë.
“Gjithë Shqipëria ka probleme, por nëse të gjitha qytetet kanë bërë përparimet e tyre, unë po them që në çdo qytet që shkoj, gjëja që më thonë është a do bëhet qyteti ynë si Vlora? Unë e di që Vlora nuk është vetëm Lungomarja, nuk është vetëm bulevardi, nuk është vetëm lagjet e transformuara. Ka akoma zona brenda saj ku duket sikur nuk ka ardhur akoma ndryshimi.
Por di dhe një gjë tjetër, nëse ka burra dhe djem që në ditën e votimit duhet të çojnë të shkojnë të votojnë, janë burrat dhe djemtë e Vlorës dhe patjetër gratë dhe vajzat. Nëse doni më shumë për Vlorën, atëherë unë dua më shumë nga Vlora më 11 maj.
Kam bindjen absolute që nëse Vlora përtej të gjitha të tjerave, mbahet për sensin e historisë dhe nëse të gjithë ju keni dëshirë të flisni për Ismail Qemalit dhe të këndoni këngët e heroizmat tuaja, duhet të provoni që sensin e historisë e keni dhe sot. Në 11 maj PS do të fitojë në gjithë Shqipërinë, në disa qarqe do thyejë rekord. Nëse Vlora nuk thyen rekord, ky do jetë turpi i gjithë burrave që nuk do shkojnë në votim”-tha Rama.
Ndërsa më tej e propozoi edhe një zgjidhje për ata burra që sipas tij “nuk mbushin fare”.
“E kanë detyrë të votojnë, ata që janë të pavendosur, le të vendosen bashkë me ne te numri 5 dhe e treta pastaj ata që nuk mbushin fare, le të shpresojmë që gratë e tyre t’i vënë në gjumë atë ditë që mos të shkojnë fare të votojnë”- e përmbylli Rama fjalën e tij. Versus.al








