Kreu i qeverisë Edi Rama ka zhvilluar sot një konferencë me mediat lidhur me ndërtimet pa leje dhe masat që do të ndërmerren për kontrollin e territorit. Ai e nisi me projektet arkitekturore duke thënë se arkitektët do jenë përgjegjës për çdo devijim apo tejkalim të lejes së ndërtimit.
“Duke filluar nga rritja e garancisë së zbatimit të projekteve arkitekturore përmes përfshirjes detyruese të arkitektit përgjegjës. Kjo do të thotë për shkak se arkitektët janë në trysni të madhe nga ndërtuesit për të bërë devijime dhe nuk janë subjekt i ligjit, kemi parë deformime të vaazhdueshme në procesin e ndërtimit duke e kthyer arkitektit në subjekt të ligjit. Duke e ngarkuar me përgjegjësi për çdo devijim nga projekti, bëhet e pamundur që presioni të funksionojë mbi arkitekti. Sepse është ai që paguan pasojat”- tha Rama.
Ndërsa theksoi se do të ketë mekanizma më të shtuar të kontrollit nga ana e bashkive dhe ritheksoi se nuk do të ketë lidhje dritash dhe uji për objektet që nuk kanë marrë ende hipotekë.
“Formalizimi i mënyrës së ndërtimit duke vendosur informacione të detajuara para nisjes së procesit të ndërtimit në mënyrë që të jetë i dokumentueshëm dhe i gjurmueshëm. Zbatimi i fazave të kontrollit me kontroll në kohë të projekteve të miratuara. Edhe ky është aspekt që ka çaluar shumë. Më tej është forcimi i mekanizmave të kontrollit duke zbatuar 4 faza të detyrueshme kontrolli nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore. Pastaj vjen detyrimi për dhënien e certifikatës së përdorimit të autoritetit përgjegjës.
Po ashtu uji dhe dritat do të lidhen vetëm pas certifikatës së lejes së përdorimit. Arsyeja përse njerëzit mbeten pa hipotekë është se ndërtuesit nuk respektojnë parametrat e lejeve të ndërtimit dhe mbikëqyrja është konstatuar të jetë jashtëzakonisht e dobët gjë që kthen drejtëpërdrejtë në viktimë atë që është jo vetëm i pafajshëm, por edhe i zoti i investimit, qytetari që ka paguar për të patur në shtëpi. Nuk do lejohet më që në godina, pallate pa certifikatë përdorimi të lidhen ujë dhe dritat. Nuk do lejohen më që njerëzit të futen në apartamente pa u përfunduar siç duhet dhe pa u pajisur me hipotekë”- shtoi Rama. Versus.al







