
Qeveria po planifikon krijimin e një projektligji për riorganizimin e sistemit shkencor ku institucionet vlerësuese të veprimtarisë shkencore të jenë pjesë e një ministrie të re.
Në dokumentin e hartuar planifikohet krijimi i një ministrie të posaçme që do të jetë përgjegjëse për shkencën dhe kërkimin shkencor si dhe krijimi i një organi këshillimor pranë kryeministrit, i cili synon përmirësimin e veprimtarisë kërkimore në vend. Në përbërje, ky këshill do të ketë 7 ministra të fushave të ndryshme, por edhe 4 përfaqësues nga institucione të arsimit të lartë, teksa do të jenë pjesëmarrës edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe 3 anëtarë të Akademisë, si dhe përfaqësues të Agjencive të Inovacionit.
Sipas TCh, mësohet se ministri i shkencës do të ketë për detyrë hartimin e strategjisë në këtë sektor si dhe të përcaktojë fushat prioritare të kërkimit shkencor; teksa në ndihmë të tij do të jetë këshilli me 19 anëtarë i drejtuar nga kryeministri, me bashkëpunimin edhe të ministrit të bujqësisë, shëndetësisë, mbrojtjes, energjisë, mjedisit, inovacionit. Teksa për përzgjedhjen e anëtarëve të universiteteve në këtë bord, është vendosur kusht që të jenë personalitete të njohur akademikë. Mirëpo kompetencat e tyre do të ndryshojnë në krahasim me ligjin për arsimin e lartë, ku gëzonin autonomi universitare në veprimtarinë shkencore.








