Partia “Mundësia”, e cila ka fituar dy mandate në Qarkun Tiranë, ka dorëzuar një kërkesë zyrtare pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përmes përfaqësuesit të saj ligjor, duke kërkuar njohjen si palë e interesuar në shqyrtimin e ankesës së paraqitur nga Partia Demokratike.
Kërkesa është drejtuar Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), ku “Mundësia” kërkon të marrë pjesë në seancën e shqyrtimit të kërkesës së PD-së, e cila ka kërkuar anulimin e rezultatit zgjedhor në Qarkun Tiranë, si dhe në shqyrtimin e ankesave të tre kandidatëve që kanë kërkuar rinumërim votash: Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj dhe Lisandër Hoxha.
Në kërkesën e depozituar theksohet se çdo vendimmarrje eventuale e KAS-it që mund të sjellë ndryshim rezultati në këtë qark, prek drejtpërdrejt interesat elektorale dhe përfaqësimin institucional të Partisë “Mundësia”, duke rrezikuar mandatin e saj të dytë.
Për këtë arsye, “Mundësia” kërkon pjesëmarrje të plotë në seancën përkatëse dhe rezervon të drejtën për të paraqitur pretendime shtesë dhe prova të tjera në funksion të mbrojtjes së rezultatit të saj zgjedhor në Tiranë. /Versus.al/







