
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër ndaj procesit zgjedhor për kreun e PD-së, ku Sali Berisha kandidon i vetëm, pasi kandidaturat e tjera, mes tyre edhe ajo e Salianjit, nuk u pranuan nga strukturat e partisë.
Në një reagim publik, Salianji ironizoi Berishën duke e quajtur “Sali kolltuku”, ndërsa e akuzoi se është kthyer në simbol të votimit pa garë dhe të uzurpimit të Partisë Demokratike.
“Sot je kthyer në simbolin e votimit pa garë, uzurpatorit pa zgjedhje dhe pa dinjitet politik, vrasësin e shpresës së qytetarëve për ndryshim”, shprehet Salianji në reagimin e tij.
Ai pretendon se pjesëmarrja në votime ka qenë shumë e ulët, duke deklaruar se në të gjithë vendin nuk kanë marrë pjesë as 1000 anëtarë, ndërsa paralajmëroi publikimin e provave për, sipas tij, manipulimin e shifrave të pjesëmarrjes.
Salianji akuzon Berishën për frikë nga gara dhe për krijimin e një aleance të heshtur me kryeministrin Edi Rama, duke folur për një “regjim Rama-Berisha” që, sipas tij, po mban peng opozitën dhe pluralizmin politik në vend.
Në fund të reagimit, ai falënderoi demokratët që, sipas tij, kanë bojkotuar procesin dhe i kanë dërguar fotografi të fletëve të votimit, duke e cilësuar të gjithë garën si një “farsë pa alternativë”.

