
Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, pasi seanca e fundit që u mbajt ditën e enjte u shty për shkak të tensioneve të vazhdueshme mes deputetëve opozitarë dhe ministrit Taulant Balla.
Në rendin e ditës janë miratimi i projektligjit për ndryshime në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë lidhur me shpenzimet postare për kthimin e votës së diasporës që do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Gjatë seancës së kaluar pati debate të shumta të krijuara që pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj nën akuzën e korrupsionit në nëntë raste të ndryshme dhe pastrimit të parave.
Fillimisht ka qenë deputeti Petrit Dodaj i PD ai i cili shkuli mikrofonin dhe tentoi të godiste ministrin Taulant Balla gjatë kohës që ky i fundit ishte në foltore. Fillimisht u aludua se Dodaj kishte tentuar ta godiste me rrip pantollonash, por më pas vetë ai e konfirmoi se kishte pasur në dorë mikrofonin e shkulur.
Pak pas kësaj përplasje, një tjetër deputet i PD, kësaj here Flamur Noka u ngrit nga vendi dhe u drejtua drejt karrigeve të ministrave për të goditur Taulant Ballën. Teka garda tentoi ta ndalonte, Noka rrëzoi njërin prej gardistëve, ndërsa më pas u bllokua nga të tjerët në momentin kur mori shishen e ujit për të goditur Ballën.
Kuvendi mbetet nën vorbullën e zhvillimeve të vrullshme politike që prej arrestimit të Veliajt. Ndërsa demokratët i kërkuan llogari edhe ministrit të Brendshëm Ervn Hoxha për mungesën e ndërhyrjes së policisë gjatë kohës kur mbështetësit e Veliajt rrethuan SPAK-un. Versus.al








