
Një ditë më parë, këshilltarët e Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit, braktisën mbledhjen e këshillit bashkiak të Shkodrës pas shkarkimit të dy prej drejtorëve rajonalë para zgjedhjeve të 11 majit.
Këtij bojkoti iu bashkuan edhe këshilltarët e Partisë Demokratike duke lënë të mendohet se mund të ketë një “krisje” të marrëveshjes mes PSD dhe PS në prag të zgjedhjeve. Mësohet se janë shkarkuar Gjek Sokoli dhe Rezarta Pode, të dy këshilltarë të PSD në bashkinë e Shkodrës.
Sokoli mbante postin e drejtorit të Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, ndërsa Pode ishte drejtoreshë e kompanisë shtetërore të sigurisë “Illyrian Guard” për Shkodrën.
Anëtarët socialistë të këshillit bashkiak e cilësuan si “të papranueshme” sjelljen e këshilltarëve të PSD e PD duke u kërkuar të kthehen në sallë për të votuar vendimet e domosdoshme për qytetarët shkodranë që edhe i kanë votuar.
Aktualisht, PS ka 18 këshilltarë bashkiakë nga 51 që janë në total në bashkinë e Shkodrës. Prej tyre, PSD ka 11 këshilltarë ndërsa Partia Demokratike e Berishës ka 12 këshilltarë, veçmas 5 këshilltarëve të Bashës. Nëse PSD e PD bashkojnë votat, kryebashkiaku Benet Beci e ka të pamundur të vendosë i vetëm për të kaluar projektvendimet në këshill. Versus.al








