Shqipëria çel sot zyrtarisht negociatat me Bashkimin Europian për klasterin 6 “Marrëdhëniet me Jashtë” që përfshin marrëdhëniet e jashtme dhe politikën e jashtme të sigurisë dhe mbrojtjes.
Delegacioni shqiptar kryesohet nga vetë kryeministri Edi Rama i cili teksa foli para mediave tha se ambicia e qeverisë shqiptare është të hapë edhe një tjetër grupkapitull të negociatave deri në pranverë.
“Jemi këtu për një hap të rëndësishëm dhe të hapim një klaster të ri që është shumë i rëndësishëm për planet tona. Ne duhet të vazhdojmë para dhe ambicia jonë është të hapim më shumë klaster deri në pranverë dhe më pas të jemi të sigurt që vitin e ardhshëm të mbarojmë me hapjen e kapitujve. Është ditë e mirë për vendin tonë dhe është hap motivues për të gjithë ne”, tha Rama.
Pritet që ky të jetë grupkapitulli që mbyllet më shpejt për shkak të njësimit të politikës së jashtme të Shqipërisë me atë të BE si në rastin e luftës në Ukrainë ku vendi ynë u rendit krah qëndrimeve kundër Rusisë. Versus.al








