POLITIKË /

Shqipëria me vetëm 2 gjini, deputetët e PS hedhin poshtë draftin e ministrisë për "përkatësi të shumëfishtë"

Shkruar nga Versus

Shqipëria me vetëm 2 gjini, deputetët e PS hedhin poshtë

Në Shqipëri nuk do të ketë gjini të tretë. Pas debateve që ka ngjallur drafti i qeverisë në Kuvend për barazinë gjinore, grupi parlamentar i PS ka ndërhyrë duke propozuar 22 amendamente si rregullime të këtij drafti të ministrisë së Shëndetësisë.

Duke qenë se u ngrit frika e vendosjes së një gjinie të tretë dhe humbjes së konceptit klasik në shoqërinë shqiptare me gjini femërore e mashkullore, amendamentet e propozuara nisin që në nenin e parë të draftit të qeverisë që parashikonte rregullimin e çështjeve themelore të barazisë gjinore në fushat e jetës publike e private.

Në variantin e dorëzuar nga grupi parlamentar i PS, janë hequr fjalët “pavarësisht përkatësisë gjinore” duke u zëvendësuar me “trajtim të barabartë mes grave dhe burrave”. Gjithashtu në relacion thuhet se togfjalëshat “përkatësi gjinore” apo “përkatësi e shumëfishtë” nuk harmonizohen me legjislacionin në fuqi që njeh vetëm burrin dhe gruan si gjini.

“Këto përcaktime synojnë të përfshijnë në gjini të gjithë individët që për shkak të diversitetit apo përkatësisë së shumëfishtë apo diversitetit seksual nuk e konsiderojnë veten në asnjërën prej gjinive burrë apo grua. Shoqëria shqiptare e koncepton gjininë të ndarë në konceptim binar burrë dhe grua dhe ky koncept është përfshirë gjithashtu në të gjithë legjislacionin në fuqi, që rregullon të drejtat e individit, kundër diskriminimit, Kodin e Familjes, Kodin e Punës dhe ligjin e nëpunësit civil etj. Futja e këtyre koncepteve të sipërcituara në projektligj ndikon në mosharmonizimin e tij me legjislacionin në fuqi, i cili pranon konceptin binar “burrë dhe grua”, thuhet në relacion.

Në dokumentin prej tre faqesh të dorëzuar nga grupi parlamentar i PS, është fshirë termi përkatësi e shumëfishtë” që përdorej në 15 raste në draftin e qeverisë duke konfirmuar se në rast të miratimit të këtyre amendamenteve, në Shqipëri nuk do të ketë asnjë lloj ndryshimi në këtë pjesë, duke vijuar të njihen vetëm 2 gjini, mashkullore e femërore.

Ndryshimet në projektligj:

Neni 1 pika 2- Varianti i Qeverisë

Ky ligj rregullon çështjet themelore të barazisë gjinore në të gjitha fushat e jetës publike dhe private për arritjen e barazisë gjinore plotësisht dhe në mënyrë efektive, ligjërisht dhe në praktikë, si dhe trajtimit të barabartë, pavarësisht përkatësisë gjinore…

Neni 1 pika 2- Varianti i PS

Ky ligj rregullon çështjet themelore të barazisë gjinore në të gjitha fushat e jetës publike dhe private për arritjen e barazisë gjinore plotësisht dhe në mënyrë efektive, ligjërisht dhe në praktikë, si dhe trajtim të barabartë mes grave dhe burrave…

Pikat kryesore të relacionit të  PS

Projektligji përdor termat “pavarësisht përkatësisë gjinore”; “për shkak të përkatësisë së shumëfishtë”;  “ka kuptim gjithëpërfshirës”; “Përkatësi e shumëfishtë”, ndërlidhja/kombinimi i gjinisë me karakteristika të tjera,….. orientimi seksual…”, terma këto të cilat janë përdorur më pas përgjatë gjithë dispozitave të projektligjit dhe që i japin projektligjit një qasje të dukshme drejt “humbjes” së konceptit klasik apo binar të gjinisë që është ajo e burrit dhe gruas, pra gjinisë mashkullore dhe gjinisë femërore.

Këto përcaktime synojnë të përfshijnë në gjini të gjithë individët që për shkak të diversitetit apo përkatësisë së shumëfishtë apo diversitetit seksual nuk e konsiderojnë veten në asnjërën prej gjinive burrë apo grua.

Shoqëria shqiptare e koncepton gjininë të ndarë në konceptim binar burrë dhe grua dhe ky koncept është përfshirë gjithashtu në të gjithë legjislacionin në fuqi, që rregullon të drejtat e individit, kundër diskriminimit, Kodin e Familjes, Kodin e Punës dhe ligjin e nëpunësit civil etj.

Futja e këtyre koncepteve të sipërcituara në projektligj ndikon në mosharmonizimin e tij me legjislacionin në fuqi, i cili pranon konceptin binar “burrë dhe grua”.

Gjykata e Drejtësisë e BE-së ka zhvilluar jurisprudencë që mbron personat transgender nga diskriminimi (p.sh. rasti P. V. S. dhe Cornëall County Council, 1996), por kjo mbështetet në interpretimin e diskriminimit bazuar në gjini, jo në njohjen e një gjinie të tretë

Legjislacioni aktual i BE-së për barazinë gjinore (siç është Direktiva 2006/54/KE dhe direktiva të tjera, të cilat pretendohet të përafrohen përmes këtij projektligji) nuk parashikojnë një “gjini të tretë” apo kategori të tjera përtej binaritetit burrë-grua.

Projektligji në nenin 4, shkronja “k”, përcakton se “Përkatësi e shumëfishtë” është ndërlidhja/kombinimi i gjinisë me karakteristika të tjera si: mosha, aftësia e kufizuar, prejardhja e imigrantëve, etnia, orientimi seksual ose prejardhja socio-ekonomike” Fjalët “përkatësia e shumëfishtë” përdoren 15 herë në projektligj.

Heqja e këtyre përcaktimeve nga dispozitat e projektligjit përmirësojnë edhe vetë qëllimin e nismëtarit për hartimin e një ligji në përputhje me kushtet aktuale të zhvillimit të vendit dhe shoqërisë dhe nuk cenojnë garantim për mbrojtjen nga diskriminimi të individëve me identitete komplekse (p.sh. gra me aftësi të kufizuara, gra LGBTIQ+, gra emigrante). Ky propozim mbështetet edhe në faktin se edhe pse BE-ja njeh diskriminimin e shumëfishtë, acquis-i për barazinë gjinore mbetet i fokusuar në binaritetin burrë/grua. Versus.al

Poll