
Gjatë seancës plenare të sotme ka pasur edhe një përplasje mes kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi dhe deputetit të PS, Eduart Shalsi i cili u kërkoi ligjvënësve demokratë që nëse kanë prova për biznesmenë që përfitojnë favore të paligjshme, t’i kallëzojnë penalisht.
Me tone të ashpra, ai u bëri thirrje demokratëve që të denoncojnë kur kanë akuza të tilla, por theksoi që të kujtojnë edhe rastin e dënimit të Salianjit për kallëzim të rremë.
“Nuk kam frikë të them se pi kafe me një biznesmen si ju që në darkë shkoni e u thoni se kështu na e kërkon politika. Nëse jeni burra… se nuk jeni, shkoni dhe bëni kallëzim. Ose jeni me SPAK-un ose me ata që akuzojnë SPAK-un si organizatë kriminale. Sot në prehrin e njërit pasnesër në prehrin e tjetrit. Bëhuni burra dhe merrni një vendim kurajoz sepse për mbijetesë politike e bëni. Merrni kurajon, kallëzoni por keni dhe shembullin se çfarë ndodh me kallëzimet e rreme”- tha Shalsi.
Nga ana tjetër, Bardhi iu përgjigj duke thënë se nuk ka nevojë për kallëzim penal ndaj tij pasi tashmë kanë nisur hetimet e SPAK, pa dhënë detaje të mëtejshme. Ai akuzoi Shalsin se ka shumëfishuar pasurinë e deklaruar në mënyrë të pajustifikueshme.
“Mos ik se të dhashë të dhëna konkrete, na dole na fole për Flamurin, ska nevojë për kallëzimin tim se po të hetojnë vetë. Nuk jemi aq burra sa fshehim pasurinë pas grave. Ti dhe familja jote keni rritur mirëqenien me rrogë 1 mijë euro ti dhe 700 euro gruaja. Për atë duhet të japësh llogari aty, shpjegoju shqiptarëve se është shtuar buxheti i familjes tënde kur thua se është rritur buxheti. Para që i ke marrë nga buxheti kur ishe ministër. Nga 90 mln lekë të vjetra, e ke çuar 680 milionë lekë të vjetra. T’i kanë gjetur edhe 1.8 mln euro pasuri të fshehta, fshihi ku të duash, sepse do ua kthesh qytetarëve”- u përgjigj Bardhi. Versus.al








