
Ende nuk ka një vendimmarrje konkrete mbi periudhën se kur mund të ndodhë indeksimi i pensioneve. Kështu deklaroi sot në konferencë për mediat, ministri i Financave, Petrit Malaj i cili tha se mundet që një gjë e tillë të ndodhë në qershor ose korrik.
“Po e diskutojmë me ISSH, kemi krijuar hapësirat e nevojshme buxhetore për ta afruar procesin e indeksimit në qershor ose korrik. Është çështje vendimmarrjeje që do ta ndajmë sapo të kemi dakordësinë. Të dhënat më të fundit e Drejtorisë së Tatimeve kanë rritje të faturave me 23%, deri në këtë moment shuma potenciale e kompensimit është 6-6.5 milionë euro. Procesi do të zgjasë deri në fund të muajit qershor”, tha Malaj.
Ndërsa sa i takon projektligjit për sigurimin e detyrueshëm të banesave, Malaj tha se do të paraqitet në Kuvend në fund të këtij muaji ose në korrik.
“Projektligji është ndarë me të gjitha ministritë dhe jemi duke bashkërenduar ndryshimet më të fundit. Shpresoj që deri në fund të qershorit ose korrik të kemi mundësinë ta përcjellim në qeveri. Shpenzimet kanë ndjekur trajektore të qëndrueshme. Totali i shpenzimeve buxhetore ka qenë në masën 242 miliardë lekë. Kemi një rritje në masën 6.3% më shumë dhe janë rreth 135 milionë euro më shumë”, tha Malaj.
Për mbledhjen e detyrimeve të bizneseve, Malaj tha se do të shkohet edhe drejt sekuestrimit të aseteve dhe ngrirjen e tyre deri në mbledhjen e borxhit. Versus.al

