POLITIKË /

Socialistët mbledhin sot Kongresin Zgjedhor, zbulohet axhenda, votohet për asamblenë e re   

Fjalimi kryesor, sikurse është traditë, do t’i përkasë pikërisht numrit një të socialistëve, Edi Ramës. Kryesocialisti do të prezantojë edhe platformën për përzgjedhjen e deputetëve, që do të jenë ekipi garues për mandatin 4-t qeverisës, që e paralajmëroi gjatë mbledhjes së fundit të Asamblesë së PS.

Shkruar nga Versus

Socialistët mbledhin sot Kongresin Zgjedhor, zbulohet axhenda, votohet

Partia Socialiste mbledh sot Kongresin Zgjedhor, ku në fokus do të jenë punët e partisë, dhe zgjedhjet e ardhshme të 2025.

Forumi më i lartë drejtues i PS-së nis në orën 11:00 në Pallatin e Kongreseve, dhe do të jetë i ndarë në tre sesione.

Në pjesën e parë, atë të Mirëqeverisjes, ministra të kabinetit “Rama 3” do të paraqesin arritjet e deritanishme.

Në pjesën e dytë, atë për Antikorrupsionin, pritet të flasin ministrja e Shtetit për Administratën, Adea Pirdeni dhe Fatmir Xhafaj, të cilit Edi Rama i ka besuar kryesimin e Komisionit Antikorrupsion.

Pjesa e tretë do të fokusohet tek punët e brendshme të partisë. Sekretari i Përgjithshëm Blendi Klosi, ministrja për Parlamentin Spiropali dhe ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi do të përqendrohen tek nisma “Deputeti që duam”, rienergjizimi dhe anëtarësimet e reja në parti.

Fjalimi kryesor, sikurse është traditë, do t’i përkasë pikërisht numrit një të socialistëve, Edi Ramës. Kryesocialisti do të prezantojë edhe platformën për përzgjedhjen e deputetëve, që do të jenë ekipi garues për mandatin 4-t qeverisës, që e paralajmëroi gjatë mbledhjes së fundit të Asamblesë së PS.

“Në Kongres do të paraqesim edhe platformën e re të përzgjedhjes së deputetëve të PS, duke u nisur nga eksperienca e zgjedhjeve të shkuara, ku siç ju kujtohet ne krijuam për herë të parë një platformë të quajtur "Deputeti që Duam" dhe mblodhëm një numër jo të vogël për hir të së vërtetës”, tha Rama në Asamblenë e PS-së që u mblodh në qershor.

Me ndryshimet që iu bënë Kodit Zgjedhor çdo parti do të ketë dy lista kandidatësh, një të mbyllur dhe një të hapur. Lista e mbyllur përmban emra që bëhen automatikisht deputetë, ndërsa e hapura ka garë brenda partisë.

Mbetet për tu parë nëse Rama do të thotë emrin e pasueses së Lindita Nikollës e cila dha dorëheqjen nga posti i kryetares së Kuvendit në seancën e fundit të sesionit parlamentar të këtij viti (26 korrik), për shkaqe të cilat i deklaroi ‘shëndetësore“

Në fund do të nisë votimi për anëtarët e rinj të Asamblesë e cila si çështje primare do të ketë zgjedhjen e sekretaritit të ri të PS-së i shkarkuar nga Rama prej korrikut 2023.

Delegatët e Partisë Socialiste do të votojnë për 156 anëtarë të Asamblesë, nga 350 që ka ky forum, ku një pjesë zgjidhen automatikisht për shkak të funksioneve drejtuese që mbajnë në nivel qendror dhe atë lokal.

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: