Sondazhet mbi rezultatin e zgjedhjeve parlamentare janë shpeshtuar ndërkohë që 44 ditë nga ndajnë nga 11 maji. Së fundmi, Instituti prestigjoz italian i statistikave “Piepoli” në bashkëpunim me Report Tv, kanë publikuar rezultatet e sondazhit të tretë të publikuar mbi zgjedhjet.
Sipas këtij sondazhi, PS do të jetë partia më e votuar në zgjedhje, duke marrë edhe mazhorancën nga 46.5% deri në 50.5% të votave, pothuajse në të njëjtin nivel me rezultatin e vitit 2021.
Ndërkohë, pas PS do të renditet koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” i drejtuar nga Partia Demokratike me kuotë që varion nga 35% deri në 39% të votave.
Më pas partitë e reja kanë gjithashtu surpriza në këto zgjedhje. Sipas “Piepolit”, koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”, projektohet të marrë 7-9% të votave, e ndjekur nga partia “Mundësia” e cila mund të marrë deri në 4.4% të votave.
Më pas PSD e Tom Doshit, Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit, koalicioni ‘Djathtas për Zhvillim’ dhe koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës luhaten në kufijtë 0.5-2.5%.
Ndërsa sa i takon liderëve politikë, sondazhi nxjerr më të preferuar Ramën me 43% të të anketuarve që e mbështesin, kundrejt 36% të tyre që mbështesin Berishën. Më pas renditja vijon me Adriatik Lapajn (13 %), Agron Shehaj (9%), e Arlind Qori (4 %), Tom Doshi (3%), Dashamir Shehi (2%). I fundit me 1% pëlqyeshmëri është Ilir Meta, presidenti i Partisë së Lirisë që po hetohet në burg për tre akuza. Versus.al








