
Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e tij në ditën e dytë të samitit të IV-ërt të diasporës në Tiranë. Ai tha se kur nisi mbajtja e këtyre samiteve, Shqipëria konsiderohej nga BE si “atdheu i pandëshkueshmërisë”.
Ndërsa sipas Ramës, sot ligji vepron ndaj kujtdo njësoj dhe jo vetëm ndaj të dobëtit.
“Atëherë Shqipëria ishte e damkosur nga BE si atdheu i pandëshkueshmërisë ku ligji vepronte vetëm ndaj të dobëtëve dhe ku çdo i fortë sfidonte ligjin. Sot pandëshkueshmëria është një mit i të kaluarës në Shqipëri. Sot Shqipëria është vendi ku askush nuk është mbi ligjin dhe drejtësia është e pavarur siç nuk ka qenë qysh në krye të herës nga 1912-ta deri kur ne i dorëzuam shpatën që i takon vetëm duarve të saj për drejtësi të barabartë për të gjithë dhe pa kursyer askënd”- u shpreh Rama.
Ndërsa më tej nënvizoi faktin se sot Shqipëria ka hapur të gjitha kapitujt e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Atëherë Shqipërisë i mbyllej rregullisht dera e negociatave për anëtarësim në BE ndërsa sot i kemi çelur të gjitha kapitujt e negociatave për vetëm 11 muaj. Sepse njësoj si ju kur ju mbyllej dera në fytyrë në ato hapat e parë në rrugët e botës dhe kur askush nuk kishte kohë, respekt dhe as vëmendje për të kuptuar sesa vlenit, por ju këmbëngulnit dhe pasi shkonit në darkë dhe fshinit lotët nga poshtërimi i ditës, riktheheshit në mëngjes për të vazhduar të këmbëngulni në pritje për të qenë gati në derë kur të hapej edhe Shqipëria këmbënguli dhe ishte gati kur dera u hap”- shtoi kreu i qeverisë. Versus.al

