
Ditën e djeshme në varrezat e Tufinës në Tiranë u mbajtën homazhet për dy shkencëtarët rusë, Viktoria dhe Vasily Puzanov të cilët që nga vitit 1944 jetuan dhe punuan në Shqipëri. I pranishëm në hoamzhe ishte edhe ambasadori i Rusisë në Shqipëri, Alexey Zaystev.

Viktoria Puzanova lindi në vitin 1893 në Rostov-na-Don në një familje aristokratike dhe studioi skulpturë në Shën Petersburg. Ajo ishte një piktore, ikonografe, restauruese dhe studiuse e artit bizantin. Falë njohurive dhe punës së saj të jashtëzakonshme, bota u njoh me emrin e Onufrit, një piktori të shquar ikonash mesjetar që kishte punuar në Shqipëri. Si shenjë njohjeje për këtë, një nga sheshet në kështjellën e vjetër të Beratit, ku ndodhet Muzeu “Onufri”, mban emrin e studiueses ruse.
Vasily Puzanov lindi në vitin 1884 në Guvernatoratin Kursk. Para Revolucionit të Tetorit të vitit 1917, ai kishte shërbyer në ushtrinë cariste në Rusi. Në Shqipëri ai u bë i njohur si ornitolog dhe taksidermist. Në vitin 1949, falë përpjekjeve të tij, u themelua Muzeu i Shkencave të Natyrës në Tiranë. Ai jepte biologji në Universitetin e Tiranës. Puna e tij “Katalogu i Zogjve të Shqipërisë” e botuar në bashkëpunim me studiuesit e faunës shqiptare F. Lamani dhe I. Zeko, mbeti vepra më e cituar mbi këtë temë deri në fillim të viteve 1990. Versus.al

