Londër- Thirrja për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ku njihet e drejta e votës së Diasporës, ka qenë pika kryesore ku është ndalur disa herë kryeministri Edi Rama gjatë fjalimit të tij para shqiptarëve të mbledhur në sallë.
Ai i konsideroi zgjedhjet e ardhshme si vendimmtare dhe ju bëri thirrje të pranishmëve që të “ndëshkojnë me votë opozitën”. Një përgjigje e kishte edhe për partitë e reja të krijuara të cilat i cilësoi si “tezga” dhe “dyqane”.
“Ka rëndësi themelore pjesëmarrja juaj në zgjedhjet e ardhshme sepse pavarësisht statusit social ju të gjithë keni një horizont mbi jetën dhe botën që është një garanci dhe vlerë e shtuar për gjykimin e popullit mbi alternativat udhëheqëse të Shqipërisë.
Ka vetëm një parti shtetbërëse, të tjerat janë dyqane, tezga që shesin qilima fluturues të markave Xhaferri apo Sude. Janë Sudja me fytyra të ndryshme, Sudja me fytyrën e plakut që ulërin nga maja e pallatit apo Sudja që vjen vërdallë e thotë Shqipërinë ua bëj unë.
Të ishte për këta, Shqipëria nuk do e bënte kurrë Reformën në Drejtësi. Kurrë nuk do shihnin një ministër të hetohet dhe dënohet. Nuk do bënte kurrë histori me rritjen më të lartë të turizmit në Europë. Të ishte për këta Shqipëria nuk e priste dot kurrë të gjithë Europën në një samit. Nuk e kryesonte kurrë OSBE-në dhe as nuk do kishte shans të mikpriste samitin e komunitetit politik europian i cili u bë në Britani këtë vit”- deklaroi Rama. Versus.al