Pas më shumë se 2 muajsh “pauzë” për shkak të fushatës zgjedhore dhe zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ditën e sotme Kuvendi i Shqipërisë i rikthehet jetës parlamentare. Seanca plenare është parashikuar të zhvillohet në orën 12:00 dhe do të shënojë nisjen e një faze pesë javore pune para se legjislatura të mbyllet përfundimisht në korrik në mënyrë që Kuvendi i ri të nisë punën në shtator.
Drejtuesit e grupeve parlamentare të PD dhe PS kanë dërguar mesazhe për deputetët gjatë ditës së djeshme. Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi u ka bërë thirrje deputetëve të theksohen në denoncimin e parregullsive zgjedhore.
“Nesër ora 12:00 është seanca plenare e Kuvendit, në të cilën do të marrim pjesë dhe do të bëjmë gjithçka për të paraqitur faktet e plota për farsën elektorale të 11 Majit. Ju përshëndes!”, shkruan Bardhi.
Nga ana tjetër, kreu i grupit të PS Niko Peleshi u ka kërkuar deputetëve që të jenë të pranishëm patjetër në mbledhjen e grupit parlamentar që do të zhvillohet në orën 11:30, rreth 30 minuta para nisjes së seancës.
“Përshëndetje kolegë! Siç jeni vënë në dijeni, nesër, e Enjte, datë 29 Maj, ora 12:00 zhvillohet seanca plenare e radhës. Paraprakisht, në 11:30 do të zhvillojmë mbledhjen e Grupit Parlamentar, po aty, në Sallën e Seancave Plenare. Diskutojmë mbarëvajtjen e veprimtarisë parlamentare në komisione dhe seanca përgjatë javëve në vazhdim. Pjesëmarrja është e domosdoshme. Faleminderit”, thuhet në mesazh.
Fillimisht në orën 10:00 do të mblidhet konferenca e kryetarëve për të miratuar kalendarin e punimeve, ndërsa në orën 12:00 nis seanca plenare në Kuvend. Versus.al







