Arta Dade, ish-ministrja e Kulturës ka rrëfyer në emisionin "Goca dhe Gra" për ndjesitë që përjetoi në ditën e homazheve për ish-kryeministrin Fatos Nano i cili u nda nga jeta të premten.
Dade shprehu vlerësimet për Nanon të cilin e përshkroi si personin që merrte përgjegjësi sa herë që vendi ndodhej në momente kritike.
“Atë ditë që qe funerali i Nanos, më kaluan si një film të gjitha vitet që kemi kaluar kur ai ishte kryetar. Atëherë nuk kishte arbitraritet as në emërime, ne votonim në kryesi, votimi ishte realisht demokratik. Nuk ndodh më tani. Demokracia e brendshme e partive sot ka hapa mbrapa. Këtu vlen që të ketë korrigjime dhe reflektime. Votimet e rregullta të nxjerrin vlerta më të spikatura.
Nanos iu desh të merrte përgjegjësi, si kryeministër, si përgjegjës. Të marrësh një përgjegjësi në kushte të vështira të vendit tregon një qytetari. Dhe pse nuk e ke të garantuar suksesin ai përsëri e mori përsipër. Kjo është për tu vlerësuar. Moment i vështirë ishte edhe kur u arrestua dhe ne patëm edhe një protestë. Askush nuk e ka thënë që Nano u cilësua si një i burgosur politik. Nano në momente të vështira ka marrë përgjegjësi shumë të mëdha.”-u shpreh Arta Dade ndër të tjera. Versus.al

