
Një përplasje e fortë në distance ka nisur mes Ilir Metës dhe ish-bashkëpunëtorit të tij të afërt, Endrit Brahimllari, i cili tashmë është pozicionuar pranë Partisë Socialiste.
I vendosur nën hetim Meta ka vendosi të zbulojë për herë të parë prapaskenat që lidhen me çështjen e lobimit në SHBA.
Në një reagim nga qelia, Meta deklaroi se çdo veprim i tij si kryetar i Partisë së Lirisë sa i takon çështjes së pretenduar për lobim në SHBA, është bërë me vendim kryesie dhe se ka persona të tjerë të cilët duhet të ishin pyetur, mes të cilëve edhe Endrit Braimllari i cili ka qenë zyrtar i lartë i LSI.
''Personi i dytë besoj që duhej pyetur është Z. Eriol Braimllari, i cili në dijeninë time, ka mbajtur për 10 vite gjithë korrespodencën me kompanitë e lobimeve edhe me e-mail (për fat të keq, pas largimit të tij nga detyra si Drejtor Kabineti, çuditërisht nuk ka lënë asnjë arkiv apo gjurmë) dhe që rezulton edhe në dosjet e SPAK-ut. Besoj që në hetimet e SPAK për lëvizjet e kompanive, emri i tij është pothuajse kudo.
Sepse kushëriri i tij i parë, Z. Endrit Braimllari, është marrë në pyetje nga SPAK-u, pasi ka firmosur për lobimet dhe ka patur për detyrë të ndjekë zbatimin e tyre, pasi ai përgjigjej edhe për organizimin edhe për financat. Çuditërisht, Endriti pasi hyri te SPAK-u si përfaqësues i PL (LSI) doli si "rilindas" i Edi Ramës dhe siç dihet publikisht, u fut edhe në listën e PS për kandidat për deputet në Tiranë. - shkroi Meta në reagimin e gjatë të tij.
Në përgjigje të akuzave të hedhura nga Ilir Meta, Endrit Brahimllari, ish-nënkryetari i Partisë së Lirisë, ka reaguar duke e cilësuar çështjen si të mbyllur që në vitin 2023.
Brahimllari ka nënvizuar se nuk pranon të shërbejë si mbulesë për problemet ligjore të Metës.
Endrit Braimllari: Kjo është një çështje e ezauruar për mua që në vitin 2023. Nuk komentoj çështje që i takojnë drejtësisë. Emri i Endrit Braimllari nuk mund të mbulojë dot hallet që kanë me drejtësinë.
Meta e përjashtoi nga Partia e Lirisë ish-deputetin Braimllarin në tetor të vitit të kaluar. Pas përplasjeve brenda radhëve të kësaj partie në prill po të këtij viti, Braimllari dha dorëheqje nga posti si nënkryetar.
Ai ka kontribuar për 19 vite në partinë e drejtuar shumicën e kohës nga Ilir Meta, dikur LSI dhe sot Partia e Lirisë, teksa ka qenë edhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Ai ka qenë edhe kryetar i forumit rinor LRI, si dhe sekretar i Përgjithshëm i LSI-së./ Versus.al







