Atifete Jahjaga, ish-presidentja e Kosovës ka dalë me një sqarim publik lidhur me disa raportime mediatike të cilat e lidhnin emrin e saj me dosjen “Epstein”. Duke i konsideruar tërësisht të pabaza dhe të pavërteta këto raportime, Jahjaga shkruan se si presidente e Kosovës nuk ka patur kurrë njohje, takim apo ndonjë lloj kontakti me Jeffrey Epstein.
“Përmendja e emrit tim nga mediat me rastin e dokumenteve të publikuara së fundmi lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk përbën dhe nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale me mua. Emri im askund nuk përmendet në asnjë lloj dokumenti të publikuar.”
Megjithatë, ajo ka shkruar se “në këtë email te palëve të treta permendet Presidenti i Kosovës, por nuk është e qartë cili, dhe nuk permendet kerkesa per takim në emër të tij apo të saj.”
Sipas saj, çdo raportim ndryshe është dhe mashtrim i opinionit.
“Kërkoj që ky sqarim të jepet në mediat të cilat e kanë lakuar emrin tim, sidomos meqenëse as nuk e kam njohur, as takuar dhe as nuk kam kërkuar takim me personin në fjalë në asnjë pozitë që kam mbajtur deri më tani.” Versus.al


